Kosovë- Dështon sërish zgjedhja e Albulena Haxhiut si kryetare e parlamentit

Ka dështuar përpjekja e gjashtë e deputetëve të Kosovës për konstituimin e Kuvendit. Partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje, nuk mundi t’i sigurojë sërish votat e nevojshme për kandidaten e saj, Albulena Haxhiun, për kryetare të Kuvendit. Haxhiu mundi të marrë 57 vota, por për zgjidhjen e kryetarit të Kuvendit nevojiten të paktën 61 vota.
Partitë e tjera janë shprehur kundër emrit të Haxhiut për t’u vendosur në krye të Kuvendit, duke i kërkuar Lëvizjes Vetëvendosje që të propozojë një tjetër emër.
Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje se po pengon qëllimisht konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
“Një gjë është e qartë, Albulena Haxhiu nuk kalon. Sikur të donin zgjidhje, kanë pasur mundësi edhe sot, edhe pardje, edhe para katër ditësh, të njëjtën mundësi e kanë edhe pasnesër: ta ndërrojnë deputetin”, tha Krasniqi.
Vazhdimi i seancës konstituive do të mbahet më 27 prill në orën 10:00.
/rtsh.al/