Rama në Vlorë: Berisha pagoi 6 milionë euro për të hequr “non gratën”

Kryesocialisti Edi Rama në turin e tij të takimeve në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit është ndalur sot në një takim me gratë dhe vajzat e qarkut të Vlorës.
Kreu i PS-së u shpreh se gratë dhe vajzat janë garancia se më 11 maj, socialistët do të marrin rezultatin e duhur për Shqipërinë në Europë.
Kryeministri akuzoi ish-kryeministrin Sali Berisha dhe rivalin e tij të drejtpërdrejtë në zgjedhje se ka lobuar në SHBA për të zhbërë vendimin “non grata” ndaj tij, me burime financiare të dyshimta milionadollarëshe.
“Është bërë një kontratë 6 milionë euro, thuhet nga patriotë, iu kujtohet që edhe herën e kaluar, Luli i shkretë për 500 mijë u bë leckë, edhe ai kështu tha: U mblodhën ca patriotë. Po 6 milion euro për të hequr damkën e një personi non grata janë vërtet shumë për të mos bërë pyetjen: ku u gjetën gjithë ato para? Dhe si mundet që thjeshtë dhe vetëm për hallin e një njeriu të paguhen më shumë para sesa çfarë shteti shqiptar jep për të gjitha partitë politike të marra së bashku. Pastaj është dhe pak e çuditshme kur mendon që ne na u tha se sa të vinte Trump do ikte non grata, tani u dashkan edhe 6 milionë euro, me shpresën që do iki non grata.
Por edhe sikur të rrijë dhe sikur të iki, kjo nuk është çështja më e shumicës dërrmuese të shqiptarëve dhe të shqiptareve që janë sot në një moment historik dhe që duhet të marrin një vendim historik. Sepse në 11 maj, nuk është një zgjedhje mes dy kampeve politike, absolutisht jo! Është një zgjedhje mes Shqipërisë me BE-në në Europë dhe të interesit kombëtar të një populli të tërë dhe hallit privat të një 80 e kusur vjeçari që vazhdon të provojë të bëjë çorap Shqipërinë.“
/rtsh.al/