E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama në Vlorë: Rilindja shqiptare fillon me gratë dhe vajzat

Rilindja shqiptare fillon me gratë dhe vajzat e vendit tonë. Kështu i është drejtuar grave dhe vajzave socialiste në Vlorë, lidershipi i PS Edi Rama, gjatë një mbledhje të mbajtur nga ky forum. Teksa ka shpalosur gjendjen e vështirë ekonomike në të cilën ndodhet vendi, kreu i PS ka evidentuar se askush më shumë se gruaja nuk e vuan peshën e papunësisë dhe varfërisë, që sipas tij, sa vjen e rritet.
 

“Sot mund të dëshmoni më mirë sesa burrat situatën në të cilën është gjendja e vendit, të vërtetën e ekonomisë së vendit, varfërisë së përgjithshme materiale e kulturore të vendit. Ju jeni dëshmitare të këtyre vështirësive, jeni ju në radhë të parë që ndesheni me këto vështirësi si nëna, por dhe si vajza. Çdo mëngjes kur unë shkoj në punë ndalem për të takuar njerëz që presin aty që në mëngjes, njerëz që vinë se i sjell varfëria, papunësia, halle shpesh herë aq të rënda sa është e pamundur ti injorosh dhe shumica janë gra, nëna që qëndrojnë me lotë në sy se s`kanë mundësi të paguajnë ilacet, janë gra të papuna me bashkëshortë dhe fëmijë të papunë dhe pse kanë mbaruar studimet” tha Rama.
 

Rama ka vënë në dukje dhe pabarazinë gjinore me të cilën gruaja përballet çdo ditë, kur bëhet fjalë në përfaqësimin e saj në politikë, vendimarrje apo qoftë dhe në një dygarësh për një vend pune nëse përballë vetes ka një burrë.

“Përvec të tjerave ndesheni përditë me pabarazinë që ende vazhdon ta mbajë Shqipërinë në një Shqipëri burrash dhe grash. Mbështetja juaj është domosdoshmëri për të bërë të mundur vizionin tonë për një Rilindje Shqiptare” tha më tej ai.
 

Kryetari i PS-së garantoi gratë vlonjate se programi i PS për një Rilindje Shqiptare është alternativa më e mirë për ta nxjerrë Shqipërinë nga rrënimi, ndërsa vlerësoi se askush më shumë se gratë dhe vajzat shqiptare nuk meritojnë një ndryshim për një të ardhme më të mire.
 

“Kemi ardhur këtu në rrugëtimin e familjes tonë politike për të folur mbi domosdoshmërinë e grave vajzave në gjithë Shqipërinë. Ti hapim rrugë ndryshimit që do sjellë ndryshim dhe në jetën e tyre. Nuk është e lehtë që njerëzve të dëshpëruar nga varfëria tu thuash se ndryshimi është i mundur dhe këtë mund ta bëjmë të gjithë bashkë, varfëria dëshpëron, papunësia paralizon, cinizmi bëhet sundues aty ku komunitetet janë të varfëra dhe mundësitë për të ndryshuar janë inekzistente. Sfida jonë lidhet me zgjimin e shpresës në sytë dhe mendjet e atyre që kanë njëmijë e një arsye për tu ndier keq, të parealizuar e pa shpresë. Program ynë është jetik për ti dhënë Shqipërisë atë që duhet, ne jemi forca për të dhënë atë cfarë na duhet. Zgjedhja është të pranojmë rrënimin e mëtejshëm apo të përpiqemi për një Rilindje Shqiptare” përfundoi Kryetari i PS-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›