Problemi i zhurmave, Presidenti dekreton ligjin për Task-Forcën

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ka dekretuar shpalljen e ligjit "Për krijimin e Task-Forcës për marrjen e masave të menjëhershme ndaj subjekteve që gjenerojnë zhurmë tej normave të lejuara në qendrat urbane dhe zonat turistike e bregdetare". Në një njoftim në faqen zyrtare të Presidencës thuhet :
“D e k r e t o j
Shpalljen e ligjit nr. 79/2012 "Për miratimin e aktit normativ, me fuqinë e ligjit, nr. 2, datë 25.7.2012, të Këshillit të Ministrave "Për krijimin e Task-Forcës për marrjen e masave të menjëhershme ndaj subjekteve që gjenerojnë zhurmë tej normave të lejuara në qendrat urbane dhe zonat turistike e bregdetare".
Kuvendi i Shqipërisë miratoi me 116 vota pro aktin normativ për krijimin e grupit Task -Forcë për të zgjidhur problemin e zhurmave në qendrat urbane në seancën e parë parlamentare për këtë sezon.
Ky akt “Për krijimin e Task-Forcës për marrjen e masave të menjëhershme ndaj subjekteve që gjenerojnë zhurmë tej normave të lejuara në qendrat urbane dhe zonat turistike e bregdetare”, u miratua nga Këshilli i Ministrave në fund të muajit korrik.
Akti Normativ synon të mbajë nën kontroll problemin e zhurmave në zonat urbane. Në të parashikohen masa ndërshkimore për subjektet që shkelin orarin e lejuar, duke shkaktuar zhurma në mjedis dhe prishje të qetësisë publike,si dhe masa ndërshkimore ndaj punonjësve publikë, përgjegjës për zbatimin e ligjit .
Akti Normativ për zhurmat parashikon përcakton shkarkime e ulje në detyrë ndaj të gjithë atyre që nuk e zbatojnë dhe që janë përgjegjës për zbatimin e tij.