E Enjte, 5 Nëntor 2026

Rama në ministerialin e OSBE-së: Një vit tejet sfidues dhe një debutim dinjitoz i Shqipërisë

Kryeministri Edi Rama drejtoi sot takimin e 27-të të Këshillit Ministerial të OSBE-së në cilësinë e kryetarit të radhës të Organizatës për Bashkëpunim dhe Siguri të Europës. 

Kyeministri Edi Rama raportoi për misionin e drejtimit njëvjeçar të OSBE-së duke theksuar se pas shumë përpjekjesh në vakumin e krijuar prej moszgjedhjes së katër sekretarëve të organizatës, arriti konsensusin mes vendeve anëtare për zgjedhjen e tyre, në prag të mbylljes së mandatit të kryesimit. “Një vit tejet sfidues dhe një debutim absolutisht dinjitoz i Shqipërisë në krye të OSBE-së”, vlerësoi kryeministri Edi Rama.

“Kur Shqipëria mori kryesinë e OSBE-së në janar të gjithë folën për një organizatë që ishte në vështirësi. Duke u ulur këtu tani mundem vetëm të konfirmoj atë ç’ka parardhësit e mi kanë ndjerë gjithashtu”, tha kryeministri Rama duke nisur fjalën në Ministerialin e OSBE-së.

“Ne jemi në një krizë. Një krizë në përkeqësim. Kjo nuk është një situatë që i është shkaktuar organizatës nga vetë ajo, nga struktura apo njerëzit e saj, pasi ata të gjithë duhen përgëzuar për angazhimin e palodhur për të përmirësuar sigurinë gjithëpërfshirëse të Europës”, u shpreh ai.

“Në vend të kësaj ne duhet ta shohim në sy, kjo gjendje është shkaktuar vetëm nga ne, 57 vendet anëtare të OSBE. Supozohej të kishim një vizion të përbashkët të krijuar në Helsinki, të krijuar në Paris, në Stamboll dhe në Astana për një Europë, demokratike, në paqe dhe të bashkuar. Ky vizion po largohet gjithnjë e më tepër prej nesh sepse parimet tona nuk respektohen, sepse  angazhimet tona nuk zbatohen, sepse divergjencat në pikëpamjet tona po rriten, sepse njëpalshmëria shpesh zgjidhet mbi ndërkombëtaren, sepse përballja zgjidhet përmbi bashkëbisedimin, sepse përçarja zgjidhet përmbi bashkëpunimin”, tha Rama.

Kjo së paku, theksoi Rama, “duhet të na shqetësojë thellësisht të gjithëve. Duhet të mbajmë parasysh edhe botën përtej rajonit të OSBE-së. Një botë ku ne përfaqësojmë porcion në ulje të popullatës botërore. Një porcion në ulje të PBB-së botërore. Një botë në të cilën jemi të shqetësuar për të nxitur e ruajtur interesat tona e ku nuk do të mbajmë ndikimin tonë nëse nuk do jemi të bashkuar apo të qëndrueshëm në angazhimin tonë për atë c’ka ne përfaqësojmë”.

“Megjithatë”, nënvizoi Rama, “duke lënë gjeopolitikën, jam shumë herë më i shqetësuar nga kriza e përhershme e bashkëpunimit, e ç’ka nënkupton ajo në nivel lokal. Nënkupton që kemi dështuar të trajtojmë si duhet dobësitë tona e të përmirësojmë veten tonë. Apo të trajtojmë sfidat e kërcënimet me të cilat përballet shoqëria jonë nga terrorizmi, ndryshimi i klimës, apo të mbështeturit të gjithë të drejtat e njerëzve tanë, të rinjtë, të vjetërit, personat në nevojë”.

Në fakt, theksoi Rama, “bëj thirrje si paraardhësit për një bashkëpunim për të bërë një gjë të tillë, por këto kanë rënë në vesh të shurdhër. Më duhet ta them këtë. O e keni përzemër këtë organziatë ose jo. Ose doni të parandaloni e zgjidhni konflikte ose nuk doni. Ose doni të promovoni median e lirë ose nuk doni. Ose doni të mbroni të drejtat e njeriut, demokracinë ose nuk doni. Është kaq e thjeshtë realisht. Organizata jonë është po po kaq e fortë sa angazhimet e saj. Edhe siguria jonë rajonale është kaq e fortë sa vullneti për t’i zbatuar këto angazhime. Nëse ky vullnet mungon, siç duket se është sot, atëherë ne do të jemi në vështirësi për të dalë nga krizat që na sjellin kriza, e kriza gjithmonë e përherë”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›