E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama në takim me të rinjtë: Duhet të punojmë ditë e natë për t’i mbyllur negociatat me BE deri në 2027

Kryeministri Edi Rama po zhvillon këtë të mërkurë një takim me të rinjtë në njësinë 1, 2 dhe 3. Në fjalën e tij, kryesocialisti u shpreh se më 11 maj do të jetë takimi me historinë.

Ai deklaroi se nuk e fut dot askush tjetër Shqipërinë në BE veç Partisë socialiste, teksa nënvizoi se vendi ynë duhet të mbyllë negociatat me BE deri në vitin 2027.

Rama i quan jonormale deklaratat e Berishës se do ta bëjë Shqipërinë madhështore.

Rama:  Shkruani në Google: “Partia Demokratike 1997”, “2008”, “2011”, futini dhe shihini, dhe do të kuptoni që nuk ka fare po fare, diskutim zgjedhjesh. Ta dini që nuk e fut dot askush tjetër Shqipërinë në BE. Mund ta fusin, po shumë më vonë. Ju nuk keni kohë për të humbur. Ju ka ardhur rasti në kohën e duhur , në votimin e parë, ju keni takim me historinë.

Shqipëria duhet të mbyllë negociatat me BE deri në vitin 2027.  Mund t’ju thon që Rama ka 12 vjet që thotë “do t’ju çojmë në BE” dhe kërkon edhe 4 vite të tjera, por ju do t’i thoni: “Mali i Zi i ka filluar negociatat shumë më herët. Pse nuk është ende në BE?” Edhe Serbia i ka hapur negociatat në 2014. Pse nuk është në BE? Sepse negociatat me BE janë një marrëdhënie dypalëshe, ti bën detyrat e tua dhe duhet të bini të dy dakord.

Sot, për arsyet e tyre, por edhe për detyrat që ne kemi bërë, ata e kanë hapur derën. Dhe, ashtu siç duam ne të hyjmë, duan edhe ata që të na marrin brenda. Por kjo do të thotë që ajo derë nuk do të qëndrojë hapur gjithmonë. Ne duhet të punojmë ditë e natë, ditë e natë, për t’i mbyllur negociatat deri në 2027.

Nëse negociatat nuk mbyllen në 2027, historia mund të zvarritet. Po të kishit një alternativë normale… Po ju duket normale dikush që ju thotë “do ta bëjmë Shqipërinë madhështore”? Shqipërinë nuk kemi pse ta bëjmë “madhështore” sepse kjo duket shumë qesharake.

Ne Shqipërinë do ta bëjmë anëtare të BE-së. Pastaj gjërat bëhen edhe më qesharake, shkojnë në Peqin dhe thonë “do ta bëjmë Peqinin madhështor”, “do ta bëjmë Mamurrasin madhështor”.

vizionplus.tv

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›