Rama nuk ka kufij në cinizëm, përmend Erjonin e plagosur në sy si mësim për të lënë protestën

“Lëndimi i djalit nga Elbasani duhet të jetë një këmbanë alarmi për të gjithë”, deklaron kryeministri Edi Rama në një reagim në platformën X, ku komenton plagosjen e të riut gjatë protestave dhe akuzon opozitën për nxitje të dhunës.
Rama thotë se pjesëmarrja në protesta të dhunshme është e rrezikshme dhe shprehet se i vjen keq për këdo që pëson lëndime fizike, edhe kur bëhet fjalë për protestues të dhunshëm.
Kryeministri e lidh situatën me atë që e cilëson si ndikim të një “matufi maniak”, ndërsa akuzon nxitësit e protestave se, sipas tij, përdorin mediat dhe rrjetet sociale për të nxitur përplasjet dhe për të dërguar njerëz në përballje me policinë.
Në reagimin e tij, Rama thotë se është angazhuar personalisht për sigurimin e kurimit të të riut në një spital në Itali dhe për transportin e tij me avion charter mjekësor.
Ai akuzon gjithashtu kundërshtarët politikë se po e përdorin plagosjen e të riut për të nxitur më tej dhunën, duke i drejtuar atyre një mesazh të ashpër.
“Ju jeni errësira që i mbylli atij djali dritën e syrit!”, shkruan Rama, duke shtuar se, sipas tij, Shqipëria po përballet me përpjekje të vazhdueshme për t’i penguar zhvillimin.
Në fund të reagimit, kryeministri shprehet se kundërshtarët e tij politikë janë gjithnjë e më pak dhe paralajmëron se shqiptarët nuk do t’ua falin atë që ai e cilëson si dhunë dhe shkatërrim.a.b