Rama nxjerr kushërirën: Puna e CV-ve është çështje familjare...për socialistët s’ka punë
Milena Harito (Koleka) ka dalë dje publikisht për të deklaruar se përzgjedhja e rekrutëve të rinj në administratë do të jetë një çështje familjare apo fisi. Përtej këtij gardhi, do të dilet veç për biznesmenët dhe lobet financiare pranë PS-së
Ishte i domosdoshëm një sqarim i mëtejshëm për punësimin me CV-ve në selinë “mavi”, pas dyndjes së të papunëve të PS që i zunë derën Edi Ramës. Dhe ajo ndodh dje kur Milena Harito, kushërira e Edi Ramës (mbesë e Spiro Kolekës) deklaroi përpara kamerave se s’ka punë për të gjithë socialistët, pasi më parë do sistemohet tarafi i oborrit familjar të kreut të PS. “Sqarojmë përsëri se ky nuk është një premtim për punë, por një hap i rëndësishëm drejt lirisë së konkurrencës dhe vlerësimit sipas meritës”- u shpreh deputetja e re e PS. Fakti që PS nisi me urgjencë dhe jashtë çdo norme ligjore praktikën e listave të partisë (pra që çdo vend pune do diktohet nga PS dhe kryetari i saj) tregon më shumë se “premtimet optimiste” të Ramës të stisura në korrespodencat false me emigrantë, studentë, inxhinierë, mjekë etj. E vërteta është se e gjithë përpjekja e shndërruar në tollovi në vetvete, shkon përtej logjikës së përfitimit sipas meritës, krijimit të vendeve të reja të punës, apo edhe punësimi i të papunëve. Gradualisht shkojmë drejt një diktati të paprecedentë në 22 vite pluralizëm. Gradualisht Edi Rama na rikthen vite të tëra pas, në vitet e regjimit të Enver Hoxhës drejt partisë-shtet, ku jo vetëm administrata por edhe sektori privat do jenë të detyruar t’i imponohen rregullave të partisë-shtet. Krahas këtij detaji të rrezikshëm për tregun e punës dhe lirinë ekonomike, ajo që u intereson jo vetëm socialistëve të thjeshtë, por edhe të gjithë shqiptarëve janë sigurisht vendet e punës. Por, vende pune për ta nuk ka dhe as do të ketë ndonjëherë përsa kohë do ta votojnë Edi Ramën për kryeministër. Vendet e punës në administratë tashmë janë ndarë mes rrethit të ngushtë familjar të Edi Ramës & Lindës, bashkëpunëtorëve më të ngushtë politikë, si dhe biznesmenëve dhe financuesve të PS. Lobet financiare pranë PS-së kanë dhe do të kenë një rol të rëndësishëm në përfitimin e pasurive shtetërore, kuptohet që do ndajnë mes tyre edhe vendet e punës në administratë. Kësisoj, instalimi i regjimit të partisë shtet dhe kontrollit partiak të punësimit në administratën publike është kapitull i mbyllur. Ata që aplikojnë me CV-të do mbeten thjesht me stadin e aplikantëve. Por, gjithsesi socialistët dhe të mashtruarit nga “rilindja” në 23 qershor kjo s’duhet t’i demoralizojë. Ata kanë të drejtën e tyre të kërkojnë një të drejtë të premtuar publikisht, ashtu sikurse kanë të drejtë të kërkojnë uljen e taksave, shëndetësi falas etj., Ata kanë të drejtën e të gjithë botës ta vënë Edi Ramën përpara përgjegjësisë kombëtare, pasi është zotuar se do punësojë jo pak, por 300 mijë shtetas. Prandaj, të gjithë me CV-të në dorë te PS, bashkë me dëshminë e aplikimit online. Rrini përpara ngrehinës mavi dhe mos u tërhiqni. Ju premtoi punë, duhet t’ju gjejë punë – në të kundërt i zini derën derisa të asfiksohet në zyrë bashkë me breshkat e tij.