Tek e majta, duket hakmarrja e Ramës ndaj Bashës
Humbja e bashkisë së Tiranës më 2011-n nuk është kapërdirë asnjëherë me shfryrjen e “Kurbanit”. Edi Rama ka rreshtuar gjithë establishmentin e vet propagandistik, që nga strukturat partiake e deri tek mediat e paguara, për një projekt që shpërfaq hakmarrjen e tij ndaj Lulzim Bashës, si politikani që e turpëroi. Kjo skemë e majtë synon edhe krijimin e një opozite të emëruar, por alternativa e hakmarrjes s’mund të ketë sukses përballë një politikani me rekordet e Bashës
Fakti që Lulzim Basha është në rolin e protagonistit politik tek e djathta dhe pesha e tij vendimtare jo vetëm tek demokratët, por edhe më gjerë, bën që Edi Rama dhe oborri i tij mediatik ta ketë atë në qendër të sulmeve të përditshme. Në interesin afatgjatë të Edi Ramës do të duhej që Basha të mos e fitonte garën për kryetar të PD.
Arsyet dihen. Protagonizmi dhe karizma e Bashës e nxori Ramën në pension, e çrrënjosi nga karrigia e korrupsionit 11 vjeçar, duke e zhbërë më thellë në opozitën e tij të përhumbur. Dy vjet më pas, Rama vjen me petkun e fituesit të zgjedhjeve parlamentare (edhe pse sipas kalkulimeve matematikore ai dhe partia e tij kanë marrë po aq mandate se në 2009-ën) dhe normalisht që në psikologjinë e tij politike, karrigia e pushtetit nuk është e lehtë për t’u lëshuar. Ai dhe oborri i tij i lobuesve të mëdhenj financiarë i mëshojnë fort këtij fakti. Dhe për t’ia arritur këtij qëllimi, rruga u duhet e lirë - aq e lirë sa pengesat që mund të sjellë opozita e djathtë të jenë tërësisht të paefektshme. Ndaj dhe Rama me kompani po investohen fuqishëm në një hakmarrje të egër ndaj Lulzim Bashës thjesht e vetëm për të intimiduar anëtarësinë e PD. Kuptohet se atij i intereson një rival i dobët, një rival i parrezikshëm në aksionet e tij kundër opozitës gjatë katër viteve të ardhshme.
Fakti që në memorien e Edi Ramës është i ngulitur fort 8 maji i 2011-ës, dita e gjykimit të madh për kreun e PS, do të thotë se përballë Lulzim Bashës ai është tepër i dobët, për të mos thënë i pallogaritshëm. Këto janë tiparet dhe cilësitë e shefit të mazhorancës së re, apo kryeministrit të ardhshëm tërësisht i paaftë në ndërtimin e një profili dhe integriteti të besueshëm tek qytetarët. Ky fakt e tmerron dhe për të s’do kishte rëndësi pushteti i marrë me pazare dhe vota të blera në 23 qershor, nëse nuk do ta çonte deri në fund, aq sa ai i ka bërë llogaritë..., dhe demokratët e dinë mjaft mirë këtë.
Me Lulzim Bashën ai ka humbur një përballje direkte. Ka humbur një betejë në të cilën ishte investuar jo vetëm personalisht, por e gjithë partia e tij, me të gjithnjë njerëzit e pushtetshëm financiarisht, me të gjithë njerëzit e inkriminuar që sot i ka në grupin parlamentar. Pra, flasim për një formacion dominant në përbërje të të cilit ka miksim forcash dhe përsëri humbi. Humbi sepse Lulzim Basha fitoi simpatinë e mbarë qytetarëve. Alternativa e tij u besua fort dhe kësisoj Edi Ramës i dhuruan humbjen më spektakolare që kishte pësuar ndonjëherë.
Ndaj, kandidimi i Bashës për kryetar të PD i cili do të udhëheqë opozitën e katër viteve të ardhshme, Edi Ramës i shuan shpresat e delendisjes së opozitës, pasi pritshmëritë janë që kreu i mazhorancës së re të pësojë disfatën e parë brenda 2 viteve. Atij s’i intereson Lulzim Basha kryetar i PD. Nuk i duhet Basha në krye të aksionit opozitar, pasi i cenon interesat politike largpamëse. I duhet një rival i dobët, një opozitar i dobët në mënyrë që, llogaritë t’i bëjë shumëzim për dy, apo për tre.
Këtë kënaqësi demokratët s’do ia dhurojnë dhe Lulzim Bashën do ta ketë domosdo në çdo front apo betejë të ardhshme elektorale.