Rama ofendon mediat për kartolinën: Derra të knaqun!
Kreu socialist akuzoi qeverinë dhe ofendoi mediat lidhur me kartolinën e tij nudo me rastin e Vitit të ri. Në profilin e tij në Twitter, Rama shprehet: Qeveria mbushi sot leveret me foton e Man Ray. Qenka fyerje për shqiptarët kryevepra botërore e kartolinës tek edirama.al! Çderra të knaqun! Kryetari i Partisë Socialiste, publikoi dy ditë më parë kartolinën e Vitit të Ri 2012 në blog-un e tij në internet, duke u uruar të gjithë miqve Gëzuar. Ndryshe nga vitet e kaluara, kur Rama ka preferuar të dërgojë kartolina në çdo zyrë, redaksi apo derë qytetarësh, këtë vit Rama ka zgjedhur një portret gruaje gjysmë të veshur, e cila ka nxjerrë kurrizin dhe fundshpinën zbuluar deri në detaje. Portreti është vepër artistike e amerikanit Man Ray, e realizuar në vitin 1924 dhe mban emrin Le violon dIngres. Si një artist që është, Rama me këtë gjetje, një nudo e vitit 1924, revolucion për atë epokë, duket se ka dashur të imponojë shijet e tij artistike, por dhe ndoshta të provokojë një debat, që shpesh politika e bën pjesë të vetën, në ditët e fundit të këtij viti, i cili nisi vrullshëm politikisht dhe po përfundon më qetë se çpritej.