Rama paralajmëron censurimin e rrjeteve sociale: Po diskutohet pragu 16 apo 18 vjeç

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar nisjen e një konsultimi për kufizimin e aksesit të të miturve në rrjetet sociale, duke hedhur si mundësi vendosjen e një kufiri moshe 16 ose 18 vjeç.
Gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve, Rama u shpreh se rrjetet sociale po ndikojnë në mënyrën se si të miturit perceptojnë realitetin dhe po krijojnë rreziqe për bashkëjetesën demokratike.
Ai njoftoi se konsultimi do të zhvillohet me mësuesit, prindërit dhe shkollat, duke e krahasuar këtë proces me konsultimin e zhvilluar më parë për kufizimin e TikTok-ut.
“Rrjetet sociale kanë stimuluar një vetmi të një natyre shumë të rrezikshme për bashkëjetesën demokratike dhe një kapërcim të kufijve mes reales dhe virtuales në pikën që kanë nxjerrë psikologët në konkluzionin që shumë nga këta të mitur e konsiderojnë një mundësi të tillë si një mundësi për të hyrë fizikisht në një playstation dhe duhet hapur debati deri kur duhet të kufizojmë aksesin në rrjete sociale të të miturve, dhe deri në cilin kufi moshe, 16 apo 18 vjeç, që të mos kenë më asnjë mundësi që të kenë rrjetet e tyre sociale individuale. Do të fillojmë një konsultim siç bëmë kur na u desh të kufizojmë TiKTok-un, do të fillojmë konsultimin me mësuesit, prindit, shkolla për kufizimin e rrjeteve sociale për të miturit, një gjë e që është një trend i identifikueshëm në një sërë vendesh demokratike.”