E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama pas takimit: Me Moorefolëm për rrëmbimin e KQZ

TIRANE -  Drejtori për Ballkanin në  Departamentin Amerikan të Shtetit i cili mbërrit dje në Tiranë ndodhet në selinë PS për të zhvilluar takim me Edi Ramën. 

Në orën 09:00 Drejtori për Ballkanin në DASH i shoqëruar nga ambasadori Aleksandër Arvizu hynë në ambientet e selisë PS për të zhvilluar një takim me Edi Ramën. Më pas në orën 10:00 do të takohet me ministrin e Jashtëm Aldo Bumçi, ndërsa nesër do të takohet me Berishën.

Pas takimit Rama tha se me Moore është folur për cështjen më të nxehtë që është “rrëmbimi i KQZ” “Theksuam domosdoshmërinë e rivendosjes së besueshmërisë së humbur të institucionit kryesor për mbarëvajtjen e zgjedhjeve në Shqipëri. Nga ana tjetër besoj se gjetëm mirëkuptimin për domosdoshmërinë që këto zgjedhje kaq të rëndësishme për Shqipërinë në një monent kaq të rëndësishëm të mos ketë asnjë arsye që nesër të jenë të papranueshme.”

SHBA RRIT PRESIONIN
Tani që zgjedhjet po afrojnë SHBA po rrisin presionin drejt Shqipërisë për zgjedhje të lira. Procesi duket se “u minua” pak orë para mesnatës së 15 prillit, kur në Kuvend, u shkarkua si rrallë ndonjëherë, anëtari i KQZ, i propozuar nga LSI, Ilirjan Muho.

Vetë ambasadori Arvizu qëndroi në sallën e kuvendit deri afër mesnatës për të ndjekur procesin, i cili përfundoi me shkarkimin e anëtarit të KQZ, edhe pse SHBA, kishte udhëzuar ndryshe. Vizion plus raportoi dje në mesditë se në orën 03.00 të mëngjesit, një email informues u nis drejt Departamentit të shtetit për këtë ngjarje. Këtë e ka pohuar në një auditor studentësh edhe këshilltari për çështjet politike në ambasadë, Porter. Por duket se vizita e Jonathan Moore, ishte planifikuar më parë dhe ishte vendosur edhe agjenda e takimeve, e cila në dritën e fakteve të reja, vjen akoma dhe më shumë alarmante.

Pritet që ai të takohet sot me kreun e PS Rama, me krerët e partive të tjera politike, ndërsa nesër në mëngjes pritet të takohet me kryeministrin Berisha. Kreu i qeverisë u nis dje drejt Londrës, për të marrë pjesë në ceremonitë përcjellëse të ish kryeministres britanike Margaret Theçer, e ndarë nga jeta pak ditë më parë.

Vizita e fundit e Jonathan Moore në Shqipëri është zhvilluar në 4 dhjetor 2012. Në atë kohë, Moore u takua me Presidentin Nishani, kryeministrin Berisha, kreun e opozitës Edi Rama, me Ilir Metën e Gazmend Oketën e FRD. Në takime kërkoi mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri, duke plotësuar të gjitha standartet, e me këtë garanci, mori “valixhet” dhe u kthye në Washington.

Por vetëm katër muaj pas kësaj vizite, Jonathan Moore, rikthehet në Tiranën zyrtare, për të qëndruar për tre ditë me radhë.

(sg/shqiptarja.com)

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›