Rama për akuzat e opozitës për tunelin e Llogorasë: Shqiptarët i referohen drejtësisë së pavarur

TIRANË, 19 nëntor/ATSH/- Kryeministri Edi Rama iu përgjigj sot në Kuvend akuzave të opozitës lidhur me luftën kundër korrupsionit, duke theksuar se pretendimet për “taksën e korrupsionit” dhe 450 milionë eurot e inceneratorëve nuk përputhen me realitetin.
“Dëgjova këtu se në Shqipëri paska një taksë korrupsion dhe që me 450 milionë euro të inceneratorëve mund të bëhej një rritje agresive e pensioneve. Ky 450 milionë eurosh është thjeshtë aritmetika e atij që mua më mungon shumë, por e kujtoj përmes jush. 7x 7=42”, u shpreh Rama duke iu referuar ish-kreut të PD-së, Lulzim Basha.
Ai theksoi se “ky konstatim nuk figuron asgjëkund në asnjë nga fashikujt e një çështje të hetuar prej shumë vitesh, ku jo 450 po as 45, nuk duken asgjëkund. Kjo do te thotë që gënjeshtrat tuaja, janë me dhjetëra herë mbi realitetin”.
Kryeministri Rama u ndal edhe te tuneli i Llogorasë, duke theksuar se shqiptarët i referohen drejtësisë së pavarur, jo atyre që bëjnë “prokurorinë e rrugëve”.
Po ashtu, kryeministri foli për fonde të bujqësisë, duke nënvizuar se raporti i OLAF për vitet 2019-2023 nuk ka gjetur shkelje të njëjta si në Shqipëri, duke e vendosur vendin tonë krahas Luksemburgut, Maltës, Qipros, Irlandës dhe Holandës. Ai shtoi se shuma e vendosur nga OLAF për vendet e tjera të BE-së, si Italia, Greqia, Hungaria, Portugalia, Bullgaria, Danimarka, Estonia, Polonia dhe Rumania, është mbi 1 miliard euro, dhe sipas zyrës së BE-së, këto fonde janë keq-administruar.
“Kjo tregon se duhet të mësojmë dhe të korrigjojmë, duke respektuar auditimet dhe jo duke i refuzuar. Kjo është një nga arsyet pse kemi hapur të gjithë kapitujt e negociatave me BE-në”, u shpreh Rama.
Kreu i Ekzekutivit shtoi se kjo është një nga arsyet pse Shqipëria ka hapur të gjithë kapitujt e negociatave me Bashkimin Europian, duke garantuar transparencë dhe gatishmëri për korrigjime të nevojshme.
Kryeministri theksoi se qeveria shqiptare synon të jetë e hapur ndaj auditimeve dhe standardeve të BE-së, duke forcuar besueshmërinë dhe luftën kundër korrupsionit. /e.xh/ /a.g/