E Diel, 1 Nëntor 2026

Vengu: Strukturat e AKMC dhe FA në çdo cep të vendit për të minimizuar pasojat nga reshjet

TIRANË, 19 nëntor /ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, bëri të ditur sot se Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe Forcat e Armatosura të Shqipërisë janë në terren dhe në gatishmëri të plotë për t’u përballur me situatën e krijuar nga reshjet e vrullshme të ditëve të fundit në vend.

Sipas tij, operacionet po zhvillohen në bashkëpunim të ngushtë me prefekturat, strukturat vendore dhe institucionet qendrore, me synim garantimin e sigurisë së qytetarëve dhe menaxhimin e çdo problematike të shkaktuar nga moti i keq.

“Bashkë dhe gati, në çdo cep të Shqipërisë për përballimin e reshjeve të vrullshme të ditëve të fundit”, u shpreh ministri Vengu në një postim në rrjetet sociale, duke theksuar se ekipet në terren po punojnë për ruajtjen, pastrimin dhe lirimin e infrastrukturës parandaluese, si dhe për mbajtjen nën kontroll të të gjitha zonave me risk të shtuar.

Ai theksoi se komunikimi me komunitetet lokale dhe banorët e zonave të prekura mbetet prioritet, duke siguruar se çdo masë po merret me synimin që siguria e tyre të jetë në nivelin më të lartë.

“Siguria e qytetarëve është prioritet absolut”, deklaroi Vengu, duke nënvizuar angazhimin e plotë të skuadrave të emergjencave dhe ushtrisë për të garantuar menaxhimin efikas të situatës dhe për të minimizuar pasojat.

/gj.m/ /a.g/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›