Rama për takimin me të rinjtë e PD-së në Vlorë: Tolerancë zero për këdo në PS që s’i trajton në mënyrë të barabartë

TIRANË, 23 mars/ATSH/ Kryeministri, njëkohësisht kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama gjatë takimit me kandidatët për deputetë në Qarkun e Vlorës foli edhe për takimin e mbrëmshëm me të rinjtë e PD-së në këtë qytet.
Rama e cilësoi si një nga momentet më të veçanta të karrierës së tij politike duke theksuar se “ata nuk kanë asnjë lidhje me “surratin e partisë politike të tyre në Tiranë”.
“Dje Zamira më ka bërë një surprizë që është një nga momentet më të veçanta të gjithë karrierës time politike. Më ka ftuar dhe ulur në tryezë me rreth 100 vajza dhe djem të FRPD. Sinqerisht përtej të gjitha të tjerave, një ndjesi faji ndaj tyre nuk më është ndarë ndaj tyre. Ndjesia e fajit për faktin që ata pavarësisht se janë të rinj të angazhuar në një forcë politike, pavarësisht se ça kemi ne me atë forcë politike, pavarësisht se ajo forcë politike në Tiranë ka një surrat komplet pa lidhje me fytyrat e këtyre vajzave dhe djemve këtu më kanë vënë në pozitë të vështirë kur më kanë thënë si sillen përfaqësuesit e PS me ata që nuk i konsiderojnë pjesë të të njëjtës anë”, theksoi Kryeministri.
Ai shtroi se këto janë gjëra që realisht janë minimumi etik për një forcë politike si e jona.
“Unë dua që së bashku të jemi në një mendje që pas 11 majit duhet të vendosim tolerancë zero ndaj kujtdo përfaqësuesi të PS në çdo nivel që nuk i jep respekt dhe nuk i trajton në mënyrë të drejtë dhe të barabartë të gjithë anëtarët e këtij komuniteti, aq më tepër për shkak të rreshtimit në një forcë tjetër politike”, deklaroi kreu i PS-së, Edi Rama.