Rama përgatit alibinë e humbjes së zgjedhjeve

Bateritë opozitare tani janë përqendruar tek sulmet ndaj procesit zgjedhor, si mënyra e vetme për të bërë të besueshme falimentimin elektoral më 23 qershor. Ndarja e mandateve po shndërrohet në një betejë qesharake për Edi Ramën, por ai i siguron besnikët e vet, se qëndrimet prej idioti politik po i mban, për shkak se është i detyruar të ketë koherencë në vendimin për të mos njohur humbjen e pritshme
Në prag të shkërmoqjes së koalicionit opozitar, 5 muaj nga zhvillimi i zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama po tenton me çdo mjet dhe rrethanë t’i shpallë ato të paligjshme. Hallin e tij politik, i mbetur pa aleatë dhe mbështetje elektorale, i paudhi i PS po përpiqet ta eksportojë gjerësisht në sferën politike brenda dhe jashtë vendit, si shqetësim madhor të Shqipërisë. Kjo me qëllim ndërkombëtarizimin e “ngërçit socialist” në selitë diplomatike të Brukselit si kinse pështjellim të situatës politike në Shqipëri me përgatitjet që po bëhen për zgjedhjet e 23 qershorit. Por si qëndron e vërteta e insistimit socialist lidhur me ndarjen e mandateve? Në pamje të parë shqetësimi i Ramës, ka të bëjë me ndarjen e mandateve, të cilën Kuvendi i Shqipërisë me vendim unanim të mazhorancës, e bëri sipas formulës së vitit 2009-ë. Dy muaj më parë, shumica parlamentare dorëzoi pranë KQZ-së një akt ligjor, për ndarjen e re të mandateve, në bazë të lëvizjeve demografike të popullsisë gjatë 4 viteve të fundit. Sipas nismës së PD, qarkut të Beratit dhe Korçës i hiqej një mandat deputeti, për t’iu shtuar Tiranës dhe Durrësit. PS insistoi fuqishëm, madje edhe duke hedhur dyshime për manipulime të shifrave të popullsisë, të depozituara në KQZ nga mazhoranca. S’kishte si të ndodhte ndryshe..., KQZ nuk arrin kuorumin prej 5 votash dhe akti rrëzohet. Nga këtu, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i drejtohet Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, për të bërë ndarjen e mandateve, pasi kjo e drejtë e institucionit të administrimit të zgjedhjeve ishte ezauruar tashmë. Kuvendi nuk ndryshon asgjë. Thjesht lë në fuqi të njëjtën ndarje mandatesh si ajo e vitit 2009-ë. Zonat zgjedhore janë po 12 dhe secila prej tyre ka të njëjtin numër mandatesh si në 28 qershor 2009-ë. Kur pritej që partitë politike të shkonin drejt homologimit të qëndrimeve dhe të nisnin zyrtarisht me konsensus përgatitjet e zgjedhjeve parlamentare, Partia Socialiste bën prapakthehu, duke kërkuar rikthimin në KQZ të debatit për ndarjen e re të mandateve. Lojë kaq të pisët dhe kaq amatore, politika shqiptare s’ka parë ndonjëherë në 22 vite pluralizëm. Gjithçka lidhet me frikën dhe panikun e humbjes së sigurt në 23 qershor, çka do të shënonte kapitullimin përfundimtar të karikaturës politike që ka uzurpuar PS-në. Dhe si përpjekje dëshpëruese për të “përligjur” humbjen fatale, është denigrimi i zgjedhjeve parlamentare, pikërisht me këtë pretendim; “manipulimin me ndarjen e mandateve”. S’do ishte çudi që fushata e spekulimeve dhe mashtrimeve publike të agravojë në dyshime flagrante, thjesht e vetëm ekspozimin e paligjshmërisë së procesit elektoral, edhe pse ashtu si në 2009-ën dhe 2011-ën, zgjedhjet do vëzhgohen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, OSBE, Bashkimi Europian dhe Këshilli i Europës. Por, PS e ka krijuar precedentin e mosnjohjes së rezultatit zgjedhor njëherësh me injorimin e raporteve ndërkombëtare të SHBA-OSBE-BE. Ky është dhe rreziku permanent në përpjekje për t’i ofruar shqiptarëve një sakrilegj të pamerituar dhe cenimin e imazhit të vendit në arenën ndërkombëtare, gjithnjë lidhur me pamundësinë e zhvillimit të zgjedhjeve të lira dhe demokratike. Barrë kjo që vendi s’e meriton për hir të interesave të ngushta politike dhe përpjekjeve të Edi Ramës për mbijetesë në kurriz të shqiptarëve. Kësisoj, në vijueshmëri dhe përkujdesje të veçantë kundër zgjedhjeve të lira dhe demokratike, lidershipi socialist nuk sheh shpëtim tjetër, veçse të masivizojë me megafonët e tij të prishur idenë se zgjedhjet janë në rrezik dhe se mazhoranca PD-LSI, po përpiqet t’i fitojnë ato në tavolinë. Por detajimi i pretendimeve të PS, nxjerrin haptazi dhe në dritën e diellit sakrilegjin e Edi Ramës, pasi halli i vërtetë nuk është ndarja e mandateve e cila u bë konform ligjeve në fuqi, por tmerri dhe paniku i humbjes së sigurt në 23 qershor. Dhe këtë nuk e thotë askush, veç fakteve dhe shifrave në vota të Partisë Socialiste dhe pseudo-partive aleate të koalicionit të majtë...
Partia Demokratike akuzon kreun e PS se i është kthyer sindromës së mosnjohjes së zgjedhjeve/Partia Demokratike akuzoi dje kryetarin e PS, Edi Rama, i cili, sipas saj, i është rikthyer sindromës së vjetër të sulmit ndaj procesit zgjedhor, me moton tashmë të njohur nga të gjithë shqiptarët: “Po nuk fitova unë, zgjedhjet nuk njihen”. Zëdhënësja e PD-së, Laura Vorpsi në një deklaratë për mediat, tha se “ashtu sikurse para çdo fushate, qoftë për zgjedhjet parlamentare, qoftë për ato lokale, me të njëjtën strategji Rama po tenton të minojë procesin zgjedhor me akuza dhe mospjesëmarrje në vendimmarrjet që opozita detyrohet t’i zbatojë me ligj”. “Shqiptarët i mbajnë mend shumë mirë sulmet qe ai u bëri zgjedhjeve lokale të 2007 -ës për certifikatat, të 2009 -ës për kartat e identitetit dhe 2011 -ës për të gjitha. Rama u qa pa arsye për 2007 -ën, u qa pa arsye për 2009 -ën, pa arsye për 2011 -ën dhe nuk ka si të mos qahet pa arsye edhe për 2013 -ën. Edi Rama po kërkon sot atë ndarje mandatesh që e refuzoi pa arsye në KQZ më 23 nëntor. Mjafton vetëm ky moment për të kuptuar jo vetëm papërgjegjshmërinë politike të z. Rama, por edhe paqëndrueshmëri në psikike që i shtohet çdo minutë e më shumë me afrimin e datës së zgjedhjeve të 23 qershorit. Qarja përpara zgjedhjeve i është kthyer në një sëmundje patologjike, të pashërueshme. Sot, sindroma e Ramës për mosnjohjen e zgjedhjeve rëndohet akoma më shumë për shkak të “kapsllëkut” politik që po kalon ai vetë dhe partia të cilën ai drejton”- u shpreh ajo.
Sipas Partisë Demokratike, Rama është i bindur për disfatën e madhe në 23 qershor dhe ndaj po kërkon më shumë se kurrë të dëmtojë zgjedhjet. “Sot, kur ndihet më i vetmuar se kurrë, kur aleatët po e braktisin më me shpejtësi sesa socialistët në Këshillat Bashkiakë në të gjithë Shqipërinë, kur ka ngelur në çarkun që ka ngritur vetë me mosvotimin e 3 ligjeve dhe kur ka zhgënjyer përfundimisht njëherë e përgjithmonë çdo shqiptar kudo ku jeton me mosvotimin e ligjeve të integrimit, Rama po kërkon më shumë se çdo herë tjetër të dëmtojë zgjedhjet, pasi edhe vetë ai është i bindur tashmë për humbjen e madhe më 23 qershor. Shqiptarët, çdo burrë, grua, i moshuar apo i ri, janë dëshmitar se si paranojat e Kryetarit të Partisë Socialiste dhe paburrëria e tij për t’u përballur ndershmërisht në beteja elektorale, e kanë shndërruar atë në goren e vërtetë të çdo procesi zgjedhor dhe në pengmarrësin më të madh të ëndrrës europiane të popullit shqiptar”- deklaroi më tej zëdhënësja e PD, Laura Vorpsi.