Krimet e “drzhavës”!
Serbia duket se sërish ia pa sherrin Gjermanisë dhe kancelares Angela Merkel. Si të mos kishte punë më të mençur, Merkel ditë më parë me deklaratën se “Gjermania është përjetësisht përgjegjëse për viktimat e Luftës së Dytë Botërore dhe krimet e kryera nga nacional-socializmi” ka shkaktuar shqetësime në Beograd sepse, mbase jo rastësisht, ishte pasuar me një deklarim shokues të ish-kryeshefit të Ushtrisë Serbe, gjeneralit Dragolub Ojdaniq, që po vuan dënimin për krimet ndaj shqiptarëve në Kosovë.
Krimineli pranon, Serbia shpërlan duart! Ojdaniq i ka pranuar krimet mbi shqiptarët!, ishin disa nga titujt që shoqëruan lajmin shokues se një ushtarak i lartë, i dënuar nga Gjykata e Hagës me 15 vjet burgim për krim kundër njerëzimit i ka pranuar të gjitha veprat që i janë dëshmuar. Ai për t’i ngjarë edhe më shumë kancelares Merkel, madje u ka shprehur edhe “keqardhje të sinqertë të gjithë atyre të kanë pësuar nga veprimet për të cilat është dënuar”. E gjyqtari Ijan Bonomi me aktgjykimin e shkurtit të 2009-tës kishte faktuar se “me fushatë të organizuar terrori, përfshirë edhe vrasjet masive“, Ushtria dhe MUP-i në 13 komunat e Kosovës më 1999, ka sulmuar vendbanimet shqiptare dhe me vrasje e plaçkitje i ka detyruar mbi 715.000 shqiptarë të shpërngulen për në Shqipëri dhe Mal të Zi. Ojdaniq, i pari dhe i vetmi që pranon krimet me regji të “dërzhavës”, mund të jetë hapi i parë i ballafaqimit të Serbisë me krimet e mëdha, të pandëshkuara ndëshkuara ndaj shqiptarëve. Thirrjet për linç të gjeneralit që nga heroi kombëtar, brenda natës u bë “tradhtar turkoshak”, i cili nuk qenka as serb por “krijesë e ndryrë e shpirt i shitur te shqiptarët...”, poshtërsirë që “mendon vetëm për prapanicën e vet..”, dekurajojnë secilin që mund të ketë besuar se mendësia në Serbi po ndryshon.
Për këtë, në mendësinë e tyre deklarata e kancelares Merkel, shihet jo si shenjë e madhështisë morale të dikujt që ka guximin të ballafaqohet me të keqen e vet, por si shenjë e dobësisë. Sepse me kokën në rërë, serbët duan që edhe ne, t’i besojmë fiksionit, se krimet masive dhe gjenocidin i kanë kryer individë jashtë kontrollit, madje me devijime patologjike dhe për fajin e tyre nuk mund të quhet fajtor i tërë një popull. Më në fund, sipas kësaj mendësie, nëse Serbia nuk është fajtore për krimet e viteve të nëntëdhjeta, që i bie të kenë ndodhur dje, pse Gjermania ka nevojë ta përsërisë përgjegjësinë për diçka që ka ndodhur moti, shumë moti? Serbët gjithsesi kanë motiv të fortë kur kaq kategorikisht mohojnë krimet mbi të cilët janë ulur këmbëkryq. Nëse do të ndodhte ajo që nuk mund të ndodhë, që edhe Daçiqi, homologu i z. Merkel, të pranojë hapur krimin shtetëror, krimin e shndërruar në doktrinë dhe mjet të luftës shfarosëse, së paku tash e 100 vjet, që nga Toplica e Nishi, pastaj Drenica e Tivari deri te së fundi krimet dhe dëbimi biblik i shqiptarëve, çka do të mbeste nga historia serbe?! Me cilat vlera do t’i edukonin gjeneratat e reja, me çka do t’i frymëzonin dhe mobilizonin ata për betejat “liridashëse e çlirimtare” me do farë fisesh të padenjë për të jetuar. Nëse do të privoheshin nga përrallat për “tokën e shenjtë“ që dikush po ua rrëmben, çka tjetër do t’i frymëzonte ata për krime të reja? Serbia kujdeset që kjo e vërtetë të mos dalë as rastësisht në sipërfaqe. Për këtë nuk janë të paktë të rinjtë serbë që shfaqen krenarë me kriminelët e vet, heronj. Edhe me ata që adresë banimi e kanë birucën në Sheveningen. Njëri nga ta, Ojdaniq ka vendosur të mendojë edhe për vete. Dhe të mos e mbrojë më shtetin e Serbisë nga biruca që tash e dhjetë vjet është bërë adresë e tij e dytë. Me shpresë se shteti do të jetë më pak fajtor, dhe se faturat e dëmshpërblimeve nuk do të trokasin aq shpejt, në Beograd kjo u komentua si akt personal dhe për motive pragmatike. Sidoqoftë, Ojdaniq papritur Prishtinës ia la në dorë një adut të fortë. Adut që, po diti, mund ta faturojë, madje edhe mirë. Sepse jo çdokush, por vetë ish-sheshi i Shtatmadhorisë së Ushtrisë së Serbisë, e pranon se krimi është kryer me përgjegjësi komanduese. Të shtetit që tash duhet të mbajë edhe përgjegjësinë.
Marrë nga e përditshmja e Shkupit “Zëri”