E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama pret Drejtorin per Zgjerimin ne KE Stefano Sanino

Në vijim të vizitës në Tiranë, Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Europian, Stefano Sanino, është pritur në një takim të veçantë nga kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama. Në takimin zhvilluar me dyer të mbyllura, i cili zgjati për rreth 1 orë e gjysëm, temë e diskutimeve kanë qenë zhvillimet më të fundit politike në vend, si dhe reformat në funksion të përmbushjes së 12 rekomandimeve të Komisionit Europian, për ecjen përpara në procesin integrues. Reforma zgjedhore dhe ligjet e tjera të rëndësishme kanë qenë në qendër të bisedës mes kryesocialistit Rama dhe zotit Sanino. Sipas njoftimit për shtyp të shpërndarë nga selia rozë, kryesocialisti Rama ka shprehur shqetësimin për shkeljen e afateve për përfundimin e reformës zgjedhore. Po ashtu, Rama ka shprehur shqetësimin mbi domosdoshmërinë për adresimin e çështjeve substanciale, si korrupsioni, ç’rrënjosjen e kulturës së pandëshkueshmërisë, mosfunksionimin e gjyqësorit, problemet me median dhe respektimin e të drejtat e njeriut. Nga ana e tij, zoti Sanino, duke vënë në dukje rëndësinë e miratimit të Plan-Veprimit për 12 rekomandimet e Komisionit Europian, ka theksuar domosdoshmërinë e zbatimit të tij në afatet e caktuara dhe angazhimin e Bashkimit Evropian për të monitoruar këtë proces.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›