Rama pret Konsullin e Nderit në Austri, diskutohet për integrimin dhe IA

Bashkëpunimi ekonomik midis Shqipërisë dhe Austrisë, si dhe situata aktuale politike në Bashkimin Europian, ishin temë diskutimi mes kryeministrit Edi Rama dhe konsullit të nderit në Austri, Markus Posset.
Të pranishëm në takimin me kreun e qeverisë shqiptare ishin edhe sipërmarrësi David Tschikof, drejtuesi i një kompanie që merret me projekte të inteligjencës artificiale, si dhe Bahri Troja, ekspert për çështjet e integrimit dhe koordinator në Institutin Austriak për Integrim.
Kryeministri Rama theksoi marrëdhëniet e mira ekonomike dhe politike midis Shqipërisë dhe Austrisë dhe falënderoi Konsullin e Nderit për angazhimin e tij si urëlidhës në Evropë dhe në vendet e Ballkanit. Kryeministri Rama vlerësoi gjithashtu iniciativat ekonomike, veçanërisht në temat e inteligjencës artificiale, digjitalizimit dhe kontributet e të pranishmëve.
Z. Posset theksoi: “Një Evropë e fortë, e sigurt dhe e bashkuar nuk do të funksiononte në të ardhmen pa Shqipërinë dhe vendet e tjera të Ballkanit, ndaj është e rëndësishme që Shqipëria të bëhet shpejt një anëtare (e plotë) e Bashkimit Evropian. Kryeministri Edi Rama është një mik personal, një politikan largpamës dhe një europian i flaktë, gjë që është e rëndësishme për marrëdhëniet ekonomike dhe politike.” /OTS
/rtsh.al/