E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama pret në takim ambasadoren e re të BE-së, Sofia Moreira de Sousa

TIRANË, 8 shtator/ATSH/ Kryeministri Edi Rama priti sot në Kryeministri ambasadoren e re të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, e cila ka marrë zyrtarisht detyrën në krye të Delegacionit të BE-së në Tiranë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, kryeministri Rama ndau foto nga takimi me ambasadoren e re, ndërsa shkroi: “Mirëseardhja në Tiranë e ambasadores së re të Bashkimit Europian, Sofia Moreira de Sousa”.

Takimi vjen pak ditë pas marrjes zyrtare të detyrës nga diplomatja portugeze. Më 2 shtator, Moreira de Sousa i paraqiti letrat kredenciale Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, duke formalizuar fillimin e mandatit të saj si ambasadore e Bashkimit Evropian në Shqipëri. Ajo do të drejtojë Delegacionin e BE-së në Tiranë për katër vitet e ardhshme.

Në deklaratën e saj pas paraqitjes së kredencialeve, ambasadorja e re e cilësoi integrimin evropian të Shqipërisë si një proces në një fazë vendimtare, duke theksuar se synimi i përbashkët duhet të jetë përmirësimi i jetës së qytetarëve. Ajo u shpreh se do të punojë ngushtë me autoritetet shqiptare dhe partnerët e tjerë për të avancuar rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.

/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›