Rama prezanton një tjetër këshilltare dhe zotohet: Numri i tyre do jetë më i kufizuar se zakonisht
Kryeministri i ardhshëm, Edi Rama, prezantoi një tjetër këshilltare të tij.
Ajo është Eralda Çani, që do jetë këshilltare për të drejtën publike.
Megjithatë Rama thotë se numri i këshilltarëve të kryeministrit do jetë i kufizuar.
Kabineti i kryeministrit do të jetë një strukturë krejt e re dhe jotradicionale në formën e në mënyrën e funksionimit.
Numri i këshilltarëve do të jetë më i kufizuar se zakonisht dhe fushat e tyre të përgjegjësisë janë specifikuar me kujdes, në funksion të nevojave strategjike dhe të procesit vendimmarrës në kryeministri.
Përzgjedhja më e fundit është profesorja e asociuar Eralda Çani, doktore shkencash në të drejtën publike, njohëse e spikatur e të të drejtës kushtetuese administrative.
Është mbresëlënëse eksperienca e saj shumë e pasur akademike brenda e jashtë vendit, po edhe praktika e përfshirjes aktive në jetësimin e projekteve të rëndësishme për të drejtën publike. Kam bindjen e plotë se kontributi i Eralda Çanit në procesin vendimmarrës do të forcojë ndjeshëm sensin e të drejtës publike të qeverisjes sonë, dhe do të jetë një vlerë e çmuar në mozaikun e talenteve e të eksperiencave të posaçme që po ndërthurim për skuadrën e re të këshilltarëve të kryeministrit, shkruan Rama në FB./ep