Rama ripërsërit propozimin: Hapje e kutive e të gjithë dokumentacionit zgjedhor Kryetari i PS, Edi Rama

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, tha sot se “gjendja e grevistëve është duke u rënduar dhe çdo orë që kalon është një përgjegjësi e rritur mbi supet e këtij pushteti që kokëfortësish mban peng një zgjidhje të arsyeshme për t’i hapur rrugë transparencës, duke hapur kutitë e të gjithë dokumentacionit zgjedhor dhe duke pritur nga një instancë e pavarur gjykimin mbi fletët e votimit”. Në një prononcim për mediat, pas vizitës së grevistëve në spitalin infektiv të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, vlerësoi se është një domosdoshmëri jetike që kjo zgjidhje të jepet dhe që duke hapur rrugën e transparencës të hapet edhe rruga që çliron zgjedhjet, që çliron procesin demokratik, çliron gjykim e popullit nga trysnin e një pushteti që nuk e lë popullin të zgjedhë. Sipas tij, interesi kombëtar, interesi publik, interesi i të gjitha palëve, është që transparenca të bëhet. “Sigurisht, kjo mund të bjerë ndesh me interesin e një grushti njerëzish, por një grusht njerëzish nuk mund ta mbajnë mbyllur në grusht demokracinë, shtetin e së drejtës dhe perspektivën e këtij vendi, që po rrënohet ekonomikisht dhe ku familjet shqiptare po ndjejnë dita ditës tu rriten vështirësitë për të jetuar e për të mbijetuar”, deklaroi Rama.