“Rama s’e ka më legjitimitetin moral për nisma ligjore” – Hazizaj për paketën e re: Bie në kundërshtim me Kushtetutën! S’mund të kalojë pa konsulencën e BE
Avokati Sokol Hazizaj kritikoi paketën e re ligjore të propozuar nga kryeministri Edi Rama për ashpërsimin e masave ndaj dhunës në protesta, duke e cilësuar nismën si një tjetër përpjekje për kufizimin e lirive të qytetarëve.

I ftuar në emisionin “Prime News24”, Hazizaj u shpreh se kryeministri nuk e ka më legjitimitetin moral për të ndërmarrë nisma ligjore ndaj qytetarëve që kërkojnë dorëheqjen e tij. Avokati theksoi se Rama ka ndërmarrë disa herë iniciativa për ndryshimin e Kodit Penal.
“Ajo çka mua më bën përshtypje po i njëjti njeri dhe kryeministër prezanton dhe paraqet nismën e tretë të Kodit Penal. Më duket qesharake, që i njëjti njeri, për të tretën herë radhazi ndërmerr nisma që kanë të bëjnë jo me lirinë por me kufizimin e lirisë së qytetarit. Detyrohem të mos marr seriozisht disa thënie të tij se kryeministri nuk ndërmerr nisma ligjore aty për aty. Nuk mundet dhe nuk ka asesi t’i të ndërmarrësh që brenda saj kanë urrejtje dhe jo dashuri. Së treti, nga pikëpamja formale, edhe nëse do të hyjnë në fuqi, mendoj se nuk kanë fuqi prapravepruese për të vepruar për ata që protestojnë.
Së katërti, mendoj se ky nuk e ka më forcën dhe legjitimimin moral për të ndërmarrë nisma ligjore ndaj qytetarëve që ata e kanë me të. Nuk mund ta marrë maxhorancën në qafë dhe të thotë ju të bëni sepse mua më urrejnë. Kjo tregon se ky nuk ka më parti, por është një individ që përshkallëzon të gjitha mjetet e instrumentet e dhunës, edhe Policinë e shtetit në favor të tij. Çdo polic ka përgjegjësi penale për çdo veprim. “, tha ai.
Hazizaj theksoi se masat e propozuara bien ndesh me Kushtetutën që garantojnë të drejtat e qytetarëve, përfshirë lirinë e shprehjes dhe të tubimit. Ai kërkoi gjithashtu që ndryshimet e propozuara të diskutohen në konsultim me Bashkimin Evropian.
“Elementi i parë është që bie në kundërshtim me nenit 2 të Kushtetutës, vullneti i qytetarëve për të shprehur atë çka ata mbartin. Së dyti, bie në kundërshtim me lirinë e të shprehurit, neni 17 i kushtetutës. Së treti, nëse kjo nismë bie në kundërshtim me lirinë e tubimit. Këto nisma nuk mund të kalojnë pa konsulencën e BE. Ne nuk mund të krahasohemi kurrë me Francën. “, tha ai.