Rama ska-ndal
Partia Socialiste ka ndryshuar disa herë marshet e demarshet e makinës së saj politike. Në drejtimin e autobusit të Partisë Socialiste, sipas një përkufizimi të rivalit të brendshëm Ben Blushi, Edi Rama ka dalë nga “rruga e zotit” për të hyrë në “rrugën e vetme” të ardhjes në pushtet. Gjurmët e zigzageve në autostradën e reformave janë të shumta. Para seancës e fundit plenare PS-ja doli në tezën e cila theksonte se “nuk duhej nxituar në ndryshimet kushtetuese siç ishte bërë në prill të 2008”. Më pas presioni publik dhe ndërkombëtar bëri që PS-ja të pranonte ofertën e PD-së për uljen në tryezën e bisedimeve derisa të shkohej me një draft-ligj të përbashkët për heqjen e imunitetit për t’u votuar përderisa nën fund të fundit ndryshimet kushtetuese duan së paku 3/5 e votave të parlamentit.
Kuptohet vetiu “keqja e imunitetit” për kategoritë që kanë këtë mburojë Kushtetuese është një prej rekomandimeve të posaçme të Komisioni për zgjerim të Bashkimit Europian sepse favorizon transparencën publike dhe nxit luftën ndaj korrupsionit dhe abuzimeve të zyrtarëve. PS-ja formuloi propozime kufizuese për imunitetin e parlamentarëve, gjyqtarëve dhe zyrtarëve të lartë, PD-ja pranoi rreth 90 % të propozimeve, por jo votimin e fshehtë, që sipas saj, duhej të ishte e hapur sepse favorizon transparencën. Relatorët Majko dhe Paloka arritën në propozime konkrete të cilët u miratuan në parim dhe nen për nen në Këshillin e Legjislacionit të Kuvendit, por jo në tërësi, pasi PS-ja refuzoi ta votonte ndonëse draft-ligji kaloi automatikisht në seancën e parlamentit të datës së përcaktuar në rregullore të datës 6 gusht.
Meqenëse makina e reformave integruese po ecte normalisht sipas Ramës dicka nuk shkonte dhe makina duhej ndaluar me ngritjen e frenave të dorës. Dalja kundër draft-ligjit për kufizimin e imunitetit duhet thënë se shastisi krejt Pandeli Majkon dhe anëtarët e tjerë të opozitës në komisionin e ligjeve që kishin punuar në sinkron me kolegët e PD. Kreu i PS-së pas presioneve të brendshme të një grupi deputetësh, që si duket të trembur nga heqja e imunitetit dhe dëshirës për të fituar sadopak kapital politik nga lëshimi i “frerit” deputetëve socialistë e fiku makinën e reformave duke ndezur bllokazhin.
Edi Rama e kushtëzoi votimin e kufizimin e imunitetit, pavarësisht se kjo jepte një sinjal të gabuar BE-së në prag të marrjes së statusit të vendit kandidat, me propozime të tjera kushtetuese për të minuar seancat parlamentare. Shefi i opozitës ia doli të bllokonte kufizimin e imunitetit me kokëfortësi të papranueshme, duke bllokuar maxhorancën, e cila ka më shumë se një dekadë që lufton, si në opozitë ashtu dhe në pozitë, për heqjen e imunitetit parlamentar.
Eksplorimi i mundësive deri në një referendum popullor sipas nenit 150 të ligjit themeltar të shtetit i jep dinjitet parlamentarëve të përgjegjshëm. Kushtetuta parashikon mundësinë që me referendum ose të shfuqizosh një ligj (abrogativ), ose të miratosh një ligj të ri (afermativ), të barazvlefshme me ligjet e thjeshta ose me shumicë të cilësuar. Kësisoj demokratët deklaruan se janë të vendosur ti referohen nenit 150 që parashikon se 1/5 e deputetëve, çka do të thotë 28 firmëtarë, mund të marrin iniciativën ligjore për t`iu drejtuar për referendumin. Sigurisht, referendumi popullor për heqjen e imunitetit kërkon kohën e saj të përgatitjes dhe padyshim tejkalon afatin e tetorit ku Shqipëria do të analizohet në progres raportin e komisionit për Zgjerim të BE-së e cila duhet të japë dritën jeshile për marrjes së statusit të vendit kandidat.
Afërmendsh, maxhoranca me deklarimin eksplorimit të gjitha mundësive, qofte dhe me thirrjen e një referendum popullor tregoi vullnetin e saj për të hequr dorë nga mburoja e pasjes së imunitetit. Por për gjithë muajin gusht PS-ja ndryshoi disa herë qëndrime, në një zigzage të pafund. Në një moment të parë u deklarua “pro” referendumin ndonëse më pas filluan ta kushtëzojë atë me 4 anketa të tjera (Imuniteti, reforma në drejtësi, çështja e importit të plehrave dhe ndalimi i marrëveshjes me Greqinë që cenon kufirin shqiptar), pastaj me tre anketa sepse kuptuan gafën me propozimin për referendum për marrëveshjen e ujërave detare, derisa dolën në qëndrimin përfundimtar kundër në bllok çdo lloj referendumi të propozuar nga mazhoranca.
Kuptohet vetiu strategjia e deklaratave “pro” në fillim të çdo reforme integruese apo rekomandimi të BE-së që kërkon 3/5 e votave dhe që vijon me “kushtëzim” të reformës, teksa përfundon me “bllokim” e saj, është një produkt i një politike opozitare pa ide e platformë europiane.