Kombinati dhe qyteti i kumarit
Lajmi se në Tiranë e jo vetëm, kazinotë dhe lojërat e fatit do të kenë shumë shpejt qytetin e tyre ishte një lajm sa i çuditshëm, aq dhe interesant.
Ishte i çuditshëm dhe interesant, pasi më në fund duket se ia arritëm ditës të kemi edhe ne Las Vegasin tonë. Pak kush do të kishte parashikuar krijimin e qytetit të kumarit si një nga nismat ekonomike shpëtimtare të qeverisë aktuale në këtë kohë krize botërore. Por ja që gjithçka është e mundur në ditët e sotme kur idetë vlejnë më shumë se realizimet e tyre.
Ajo që e bën edhe më interesante këtë nismë është vendndodhja e paracaktuar e qytetit të kumarit, pra ish kombinati i autotraktorëve.
Asnjë njeri me sadopak mend në kokë dhe me sado fantazi të kishte sdo të mund të parashikonte që kombinati i autotraktorëve do të shndërrohej një ditë në qytet kumari.
Por ja që kështu është. Dje në atë që quhej kombinati i autotraktorëve punonin disa mijëra punëtorë. Sot aty, sipas qeverisë, do të luajnë kumar disa mijëra të tjerë.
Për të qenë edhe më të saktë ky qytet i kumarit, meqë shpesh lidhet edhe me disa veprimtari anekse të dukshme e të padukshme, si përdorim alkooli, pse jo edhe substancash si droga e të ngjashme me të, pritet të jetë shumë i zhurmshëm. Natyrisht zhurma e këtij qytetit nuk ngjan asfare me zhurmën e tornove, ratifikave, presave të uzinës së dikurshme, por sidoqoftë është zhurmë kazinoje e kumari që bashkia e Tiranës ka menduar tia kursejë qytetarëve të saj duke e transferuar aktivitetin në periferi. Dhe si vend për këtë aktivitet qeveribashkia e Tiranës gjeti pikërisht ish kombinatin?
Nuk ka si të mendohet një trajtim më ironik, më fatkeq e më injorues se sa ky që i është bërë një kolosi të industrisë mekanike të Tiranës duke e transformuar atë në një lagje bixhozi. Tregues më tragjikomik për zhvillimin ekonomik zor se mund të gjendej.
Transformimi i ish uzinës për gjithçka tjetër si shesh ndërtimi për banim, qendër e re tregtare apo biznesi, sportive apo arsimore etj, do të ishte një përpjekje sa dinjitoze, aq dhe bashkëkohore ekonomike e sociale. Por asnjë arsye sdo të mund të justifikonte këtë tjetërsim skandaloz veç faktit të një mendësie po aq skandaloze zhvillimi të ekonomisë së vendit përmes kazinove, lotove e bingove, që në analizë të fundit pasurojnë një grusht njerëzish, por jo vendin e shoqërinë. Ishte dikur një kombinat si shumë të tjerë, pa të ardhme në ekonominë e tregut. Grotesku i djeshëm për rolin e tij ekonomik në zhvillimin e vendit duket se nuk i ndahet edhe sot.
Produkt i megalomanisë së pushtetit dje dhe sot!?
