E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama sulmon opozitën pas raportit të IBAR: “U gënjyen dhe humbën me turp, Shqipëria fitoi”

Në “Shënimet e javës”, kryeministri Edi Rama ka komentuar miratimin e raportit të IBAR dhe avancimin e procesit të integrimit europian të Shqipërisë, duke e cilësuar si një tjetër sukses të rëndësishëm në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Rama sulmoi ashpër opozitën, duke deklaruar se ajo u përpoq të dëmtonte imazhin e Shqipërisë në sytë e partnerëve europianë, ndërsa akuzoi kundërshtarët politikë se përhapën idenë se procesi i integrimit ishte bllokuar.

“U gënjyen, u gënjyen, se gjithnjë nga ajo mendja e tyre e cekët dhe e mbrapshtë dhe, në fund, humbën me turp dhe Shqipëria fitoi përsëri me mund, me dinjitet dhe me krenari”, tha Rama.

Kreu i qeverisë u ndal edhe te Konferenca Ndërqeveritare Shqipëri–Bashkimi Europian, e cila do të mbahet më 26 maj në Bruksel, duke e konsideruar atë si vulosje të suksesshme të fazës hyrëse të negociatave dhe nisje të fazës përfundimtare drejt anëtarësimit.

Sipas Ramës, Shqipëria po ngjit “një tjetër lartësi të vështirë” drejt objektivit për t’u bërë pjesë e familjes europiane brenda kësaj dekade.

“Kemi ngjitur një tjetër lartësi të vështirë drejt majës, ku do të arrijmë me çdo kusht brenda kësaj dekade dhe ku do të vendosim flamurin e Skënderbeut dhe të Ismail Qemalit aty, në oborrin e shtëpisë së madhe të Europës së Bashkuar”, deklaroi ai.

Kryeministri foli edhe për fondet që Shqipëria përfiton nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, duke bërë të ditur se vendi ka marrë një tjetër mbështetje financiare prej 49 milionë eurosh nga Bashkimi Europian.

Sipas tij, me këtë shumë, mbështetja totale për Shqipërinë arrin në 212 milionë euro, që Rama e cilësoi si shifrën më të lartë të përfituar nga vendet e rajonit në kuadër të këtij plani.

Ai theksoi se këto fonde bazohen mbi rezultate konkrete dhe të certifikuara nga Komisioni Europian, ndërsa shtoi se “asgjë nuk e ndal dot Shqipërinë europiane”.

“Shqipëria jonë, Shqipëria europiane që po ndërtojmë, është një histori suksesi, një histori që nuk shkruhet me britma, nuk bëhet me shpifje apo me molotovë, por me vizion, me punë, me durim të madh dhe me përkushtim hap pas hapi”, u shpreh Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›