E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama takon Toni Bler merr mbeshtetjen e komunitetit nderkombetar

Kreu i PS Edi Rama u takua në Londër me ish-kryeministrin britanik, Toni Bler. Bler e uroi Ramën për fitoren e zgjedhjeve të 23 qershorit, dhe e garantoi atë për mbështetje të plotë nga ana e ndërkombëtarëve.
“Së pari, dua të uroj Edi Ramën për fitoren e tij të jashtëzakonshme. Ky është një moment i duhur që Shqipëria të bashkohet me qeverinë e re dhe me programin e saj të ri. Jam i sigurt se ekziston një vullnet i madh në komunitetin ndërkombëtar për t’i uruar qeverisë punë të mbarë dhe të jetë e suksesshme. Sfidat e vendit janë shumë të mëdha, por unë e di se ka një vendosmëri të jashtëzakonshme për t’i kapërcyer ato. Si dikush që e konsideron veten një mik të Shqipërisë dhe shqiptarëve ne jemi të lumtur t’ju ndihmojmë me mundësitë tona më të mira. Dua t’ju uroj juve z. Rama gjithë të mirat, duke ditur sesa punë e vështirë është të jesh Kryeministër. Fat të mbarë dhe duhet të dini se gëzoni një mbështetje të gjerë në komunitetin ndërkombëtar që të realizoni me sukses këtë detyrë”,- u shpreh ish-kryeministri Bler.

Nga ana e tij Rama vlerësoi ndihmën që ish-kryeministri britanik do t’i ofrojë qeverisjes së re shqiptare.

“Është një kënaqësi shumë e madhe që takimin e parë pas zgjedhjeve, jashtë Shqipërisë, unë e bëj me një mik të madh, që përveçse çka njihet është edhe një pikë referimi e kahershme e imja dhe e jona si Parti Socialiste. Ndërkohë jam shumë i lumtur që kjo fitore na jep mundësinë të kemi ndihmën e një miku të madh, një kryeministri që ka lënë gjurmë në historinë e Anglisë dhe të botës mbarë dhe e një njeriu që nuk harron asnjëherë të përsërisë se është një mik i madh i Shqipërisë dhe shqiptarëve”- theksoi Rama.

Sot në mbrëmje Rama do të jetë i ftuar në emisionin “Hard Talk” të BBC-së, ndërsa nesër do të udhëtojë drejt Romës për të zhvilluar një takim me kryeministrin italian, Enriko Leta.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›