Rama, tapë topi në qeverisje
Kryeministri në ardhje Edi Rama u shfaq dje në parlament me një ligjëratë në jerm, pa shifra dhe pa faturë financiare. Ai nuk foli as për uljen e taksave, as për skemën e shëndetësisë e as për investimet në bujqësi, duke braktisur premtimet piramidale të fushatës. Si një trashëgimi e nomenklaturës, Edi Rama erdhi me një fjalim fashist, plot urrejtje për opozitën dhe me shantazhe për revansh
Kryeministri i ri, i cili ka marrë mandatin për të qeverisur vendin në katër vitet e ardhshme, Edi Rama prezantoi dje në Parlament dhe në media, gjoja programin e tij qeverisës. Programi i paraqitur në kuvend ka formën e një libri, të mbështjellë me kopertinë të kuqe, të përbërë prej 74 faqesh, me një logo shqiponje të afërt me emblemën e qeverisë së 1928”. Edi Rama nuk fliste përpara deputetëve të Kuvendit të Republikës si kryeministër i vendit. Ai ngjante më shumë me një menaxher projektesh OJQ-je në hall për t’u mbushur mendjen të tjerëve që t’i besojnë. Edi Rama po i mbushte mendjen vetes se ishte kryeministër. Dhe jermi shfaqej në fjalë të përgjithshme pa lidhje me premtimet dhe për betimet që ka bërë para dhe pas zgjedhjeve.
Në programin qeverisës të prezantuar prej Ramës nuk ka asgjë nga programi elektoral ku pati premtime të caktuara për uljen e taksave, për skemën e shëndetësisë dhe bujqësinë. Për shembull në programim elektoral thuhet se do hiqej TVSH e imputeve bujqësore, tani thuhet do reduktohet duke parë e duke bërë. Në prezantimin kryeministrit në ardhje Edi Rama nuk dha asnjë ide sesi do të bëjë reformën për Shëndetësinë falas për të gjithë pa paguar kontribute ashtu siç ka deklaruar dhe për të cilën ka marrë edhe votën e 1 milion shqiptarëve. Shërbimi shëndetësor ta pranojmë të gjithë nuk është një sukses i asnjë qeverie. Por zotëria në fjalë kryeministër në pritje ka marrë angazhim qytetar dhe politik ti dalë kësaj reforme në ballë, madje ka çuar sekretarin për programin Ilir Beqjen ministër të Shëndetësisë. Kjo është përgjegjësi politike shumë e madhe, ndaj të cilës nuk mund të injorohet prej kurrfarë retorike që fsheh premtimet.
Po ashtu Edi Rama nuk tha sesi do të bëjë legalizimet falas për të gjitha shtëpitë pa leje që kanë aplikuar tek ALUIZNI, apo për uljen e taksave të 95 % të shqiptarëve (si për shembull heqja e TVSH-së për ushqimet bazë), të heqjes së taksës së biznesit të vogël, të hapjes së 300 mijë vendeve të punës dhe qindra premtimeve të tjera pa kurrfarë fature. Për bizneset e mëdha dhe të mesme e kanë të shkruar qartë në programin e ri të qeverisë Rama se do të paguajnë më shumë taksa aktualisht. Kjo është logjika e jashtëligjshme e Robin Hudit, tu marrim të pasurve dhe tu japim nga pak të varfërve. Ngase në program e Edi Ramës nuk jepet shifra, ashtu siç nuk jepet shifra edhe për tatimin progresiv të pagave.
Qeveria “Rama” parashikon që të mos ketë më Tatime, Dogana apo tatime vendore. Të tria strukturat do të centralizohen në një, duke krijuar një megastrukturë kontrolli-gjobitje ndaj biznesit që do të kontrollohet prej Edi Ramës. “Administrata tatimore do të bashkohet me atë doganore, si dhe do të përthithë edhe administratën tatimore vendore”. Fjalët e përgjithshme të Edi Ramës janë të denja për një aktor që reciton pa pushim hartime të pakuptimta për qytetarët e zakonshëm që e kanë votuar për të qeverisur dhe jo të bombarduar me llafe nga foltorja e parlamentit. Edi Rama duhet të kuptojë se ka ikur koha e llafeve dhe është koha e veprave, sepse sipas tij, gjendja është e rëndë që se meriton Shqipëria.
Sidoqoftë premtimet piramidale të Edi Ramës rrezikojnë stabilitetin makroekonomik të vendit. Shmangja nga premtimet elektorale janë e vetmja rrugë e Edi Ramës për të qeverisur deri në krizën e afërt parlamentare. Ai do të krijojë spektakle prishjes së ca ndërtimeve pa leje të Shpëtim Gjikës dhe Vangjush Dakos për të kënaqur ca militantë si ajo e Beratit, “rrimë edhe pa bukë edhe ujë, vetëm ju mos u zini”.