Rama vë përfund PS-në…

Strukturat e PS-së janë vënë në rolin e skllavit, të cilat po presin se ç’padron do t’u përcaktojë personi privat Edi Rama. Sipas një klientele që e ka burimin tek fondet që paguhen në oborrin e 99-shave, pas Kukësit e Elbasanit, ka qenë radha e degëve socialiste të Kavajës dhe Peqinit të shohin se si strukturat partiake vihen nën zgjedhën e të pilotuarve nga jashtë, të cilët s’kanë asnjë lidhje me të majtën. Tashmë skllevërit modernë të së majtës, po shohin se po u shkatërrohet karriera politike, pavarësisht sakrificave të tyre nëpër mitingje e greva urie
Gjatë prezantimit të Alfred Pezës në Peqin, kryetari i PS Edi Rama deklaroi se, “pashë mërzinë e natyrshme të momentit të parë qoftë te deputeti ynë i Peqinit, Skënder Hasa, qoftë te kryetari i PS së rrethit, Bukurosh Maçi”.
Sigurisht, si deputeti Hasa ashtu dhe kreu lokal i PS në Peqin do të ishin të mërzitur. E kundërta do të ishte e çuditshëm. Por nuk kuptohet çfarë priste Edi Rama. Mirëkuptim? Nuk e meriton për sjelljen cinike të kohëve të fundit.
Vendimi i Edi Ramës për të pilotuar kandidatë butaforikë në listën e deputetëve të PS pa u konsultuar me kryesinë, as me grupin parlamentar dhe as me strukturat lokale të PS dëften instalimin e diktaturës së brendshme në parti . Pikërisht “diktatoriale” e “bajraktare” ishte përkufizimi që shprehu deputeti i PS, Asllan Dogjani, i përjashtuar nga lista e Kukësit.
Privatizimi i listës së deputetëve të PS nga ana e Edi Ramës u konkretizua dhe në “prurjen” më të re, Parid Cara, pjesë e klientelës personale.
Kuptohet vetiu thirrja për transparencë për bërjen e listës së deputetëve të PS nga ana e Arben Malajt apo apeli për marrjen parasysh së bazës nga ana e Valentina Leskaj e Damian Gjiknurit kanë shkuar në vesh të shurdhër.
Mungesa e transparencës në përgatitjen e listës së deputetëve të PS vërtetohet edhe në refuzimin për të përgënjeshtruar emra deputetësh të PS të lënë jashtë loje. Së fundmi kanë dalë në mediat afër së majtës emra deputetësh “non-grata” në PS si: Asllan Dogjani, Albert Çaçi, Skënder Hasa, Agim Leka, Vasilika Hysi, Ilir Gjoni, Arben Isaraj, Ermonela Felaj, Et’hem Ruka, Ervin Koçi e Marko Bello. Janë këto emra “të përjashtuarish” nga lista e kandidatëve për deputetë të cilat qarkullojnë në redaksitë e mediave. Dhe Edi Rama me heshtjen e tij sa e shton edhe më shumë misterin e kritereve përcaktuese.
Ndërkaq dinozaurët e nomenklaturës komuniste si Namik Dokle e Gramos Ruçi, janë të sigurt për hyrjen në listë e deputetëve të PS sepse përbëjnë lidhjen e fillit të së kaluarës me të tashmen politike.
Padyshim kjo logjikë klienteliste e Edi Ramës në përbërjen e skuadrës së “Rilindjes” ka efektin shkatërrues të karrierës politike të atyre që kanë një jetë në militantizëm politik. Mesazhi i kreut të PS për të rinjtë socialistë që merren me politikë është demoralizues pasi jep kuptimin e përzgjedhjes dhe ngjitjes në karriere jo nëpërmjet meritës dhe kontributeve në parti, por ç’ka është më e rëndësishme, afërsia me Shefin si pjesë e klientelës.
Kjo logjikë aspak demokratike është ndërtuar në mekanizma tjetërsues të personalitetit politik të shumë figurave të jetës publike opozitare. Ish-kryeministrat dhe ish-ministrat e mëparshëm janë kthyer në lodra me të cilët luajnë 99-shat e Ramës. Pandeli Majko e Bashkim Fino janë të frikësuar prej ngjitjes së rrufeshme të Erjon Veliajt dhe Ditmir Bushatit dhe ndikimin e tyre në vendimmarrjen egoiste të Edi Ramës. Ndërkohë, shumë ish-ministra të qeverive të Nanos janë kthyer në skllevër modernë që u nënshtrohen kapriçiove të kryetarit pa kufi.
Sidoqoftë mërzitja që shikon Rama te të përjashtuarit e mëdhenj të listës për deputetë të PS do të ketë shndërrim me afrimin e ethshëm të fushatës elektorale, e cila do të përcaktojë fitimtarin dhe humbësin. Edi Rama po i fryn hirit të prushit partiak, por duhet të bëjë kujdes se mund t’ia djegë karrierën përpara 23 qershorit.