E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama vlerëson Mirlinda Karçanajn: I takon drejtësisë të flasë, por jo të mohohen vlerat e saj

TIRANË, 17 shkurt /ATSH-Maela Marini/ – Kryeministri Edi Rama vlerësoi sot rolin e Mirlinda Karçanajt në drejtimin e Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKShI), e cila dha dorëheqjen pak ditë më parë pasi është vendosur nën hetim nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Gjatë prezantimit të drejtorit të ri të AKShI-t, Igli Tafa, Kryeministri Rama u ndal te kontributi i drejtueses paraardhëse të kësaj agjencie, Mirlinda Karçanaj.

Rama shprehu falënderimet për Karçanajn, ndërsa u shpreh se e njeh si një nga njerëzit më të përkushtuar ndaj funksionit dhe shërbimit publik në këtë vend.

“Linda ka qenë gjithnjë e para që vinte në punë dhe e fundit që largohej nga puna. Jam i pikëlluar për gjithçka ajo po kalon, në radhë të parë për agresionin barbar të portaleve dhe të rrjeteve të dhunës verbale, që e asociojnë me gjëra të cilat nuk kanë asnjë lidhje me Lindën”, u shpreh Rama.

Kryeministri theksoi se nuk do të hyjë në meritën e çështjes dhe se nuk ka dijeni për detaje që lidhen me aktivitetin e kompanive të përfshira në hetim.

“Kam dijeni për faktin që Linda është nënë e vetme me dy fëmijë, ka një karrierë nga më të shkëlqyerat në shërbimin publik. Me të gjithë partnerët e AKShI-t, që janë ndër më të mëdhenjtë e teknologjisë si Microsoft dhe Oracle, kam dëgjuar fjalët më entuziaste dhe mbresat më të jashtëzakonshme për të dhe për stafin”, tha Rama.

Po ashtu, ai theksoi se Karçanaj “nuk ka absolutisht asnjë jetë posaçërisht të shtrenjtë”, duke shtuar se ajo ka jetuar për shumë vite në shtëpinë e prindërve dhe ka pasur një pasion të madh për punën.

“I them të gjitha këto në respekt të një personi që ndodhet sot në një kalvar, nga ku dua të besoj me gjithë zemër se do të dalë e pastër. Por nuk më takon mua ta them këtë gjë, i takon drejtësisë. Kjo nuk do të thotë që t’i hidhen poshtë vlerat që ka krijuar dhe revolucioni që ka udhëhequr së bashku me ekipin”, shtoi Rama.

Kryeministri vlerësoi ekipin e AKShI-t si një nga asetet më të rëndësishme të Shqipërisë dhe shprehu keqardhjen për ata që janë vënë nën presion.

“Jam i keqardhur për ata ndër ju që janë keqtrajtuar, abuzuar dhe përballur me metoda shtrëngimi të pajustifikueshme në një republikë demokratike”, përfundoi Rama.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›