E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama zgjeron koalicionin me 43 parti, ende nuk dihet fati i Gjinushit e Milos

ramaEdi Rama ka zgjeruar koalicionin opozitar duke përfshirë brenda ombrellës së PS-së 43 parti të vogla, ndërkohë që ende nuk dihet fati i Partisë Socialdemokrate, e kryesuar nga Skënder Gjinushi dhe asaj të kryesuar nga Paskal Milo.

Aleatët historikë të Partisë Socialiste duket se ende nuk kanë vendosur për të qenë pjesë e koalicionit të majtë në zgjedhjet e 23 qershorit.

Fati i tyre duket se është kushtëzuar fort nga përfshirja në koalicion e Partisë Lëvizja për Integrim, ndërkohë që kanë afat deri më 23 prill për të vendosur përfundimisht pozicionin e tyre në zgjedhjet e 23 qershorit.

Zyrtarisht Partia Socialiste deklaron se po vazhdon bisedimet me aleatët e saj historikë, ndërkohë që ka ftuar të jenë pjesë të koalicionit opozitar edhe PPDNJ-ë, Aleancën Kuqezi dhe FRD-në.

Ndërsa negociatat ende vazhdojnë, Partia Socialiste zyrtarizoi marrëveshjen paraelektorale me 43 parti të koalicionit opozitar. Partitë, të cilat kanë pranuar ftesën e socialistëve për koalicion, nënshkruan marrëveshjen për të cilën kreu i Partisë PSV91, Petro Koçi u shpreh entuziast.

Sipas Koçit, marrëveshja përmban detyrime të partisë për të respektuar besnikërinë e votës dhe detyrimet pas rezultatit zgjedhor, teksa shtoi se kushti i vetëm është rotacioni politik. Ky dokument nuk përmban kërkesa specifike të partive në raport me PS por është baza për regjistrimin e këtij koalicioni në KQZ. Marrëveshja është ajo që kemi miratuar më parë, kushti kryesor është rotacioni politik, të tjera lidhen me vendime specifike por skanë lidhje mbi parimet e ndërtimit të koalicionit, deklaroi Koçi.

Ndërsa kreu i PLD-së, Spartak Ngjela, tha se në zgjedhjet e ardhshme do të kandidojë në siglën e partisë së tij.

Unë nuk kam ardhur për të bërë kërkesë për të hyrë në PS. Unë jam me partinë time dhe dal deputet, tha Ngjela, që sipas tij me këtë marrëveshje, ku janë përfshirë në koalicion 43 parti, Sali Berisha është i rrethuar totalisht.

E ndërsa partitë e vogla janë shprehur optimiste nën përfshirjen e ombrellës së Partisë Socialiste, mësohet se për aleatët historikë do të ketë një marrëveshje tjetër, që burimet zyrtare thonë se do të jetë bilaterale.

Mësohet se shumë shpejt do të ketë një marrëveshje tjetër ndërmjet Metës, Milos dhe Gjinushit, kushtet e së cilës ende nuk janë të qarta.

Po kështu ende e paqartë është dhe përfshirja në koalicionin opozitarë e Aleancës Kuq e Zi dhe PBDNJ-së ndërkohë që Fryma e Re Demokratike, e kryesuar nga Bamir Topi, ka deklaruar se do të garojë e vetme në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit./l.ç

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›