Rama:23 Qershori, zgjedhja mesjetës së gënjeshtërt e të ardhmes
Të tjera rreth shkrimit VD/Ajala i Internacionales: Beteja, zgjedhjet e lira LIVE Tv/ Ndiqni direkt Konventën e PS Rama falenderoi dje Nanon e Metën
TIRANE - Partia Socialiste shpalosi sot për të dytën ditë rresht programin elektoral të zgjedhjeve dhe alternativën e qeverisjes pas zgjedhjeve të 23 qershorit. Konferenca Kombëtare e socialistëve e cila nisi nga ora 10:00 e paradites së sotme po mbahet në Pallatin e Kongreseve. Kreu i opozitës paraqiti alternativën e PS në të gjitha fushat, si premtime për zgjedhjet e 23 qershorit si e vetmja alternativë dhe rrugë drejt të ardhmes dhe jo të shkuarës, me të cilën jeton kjo qeveri.
Kryetari i PS tha më 23 qershor qytetarët duhet të vendosin nëse duhet të zbrapsen nga krimi apo t’i nënshtrohen atij, atdhedashurisë për të ardhmen apo nacionalizmit primitiv, taksimit të ndershëm apo taksës së sheshtë. “Të mos votojmë si tifozë, por si votues të ndërgjegjshëm. Mos ngatërroni fanellën bardhë e blu të Tiranës me të Berishës”- tha Rama.
RAMA: NUK AFROJMË MENU DËSHIRASH, POR PLAN PËR TË NDRYSHUAR JETËN
14.28 Kryetari i PS-së, Edi Rama, që e mori fjalën në përfundim të Konventës, duke falenderuar të gjithë ata që gjatë këtyre dy ditëve, “shtjelluan për publikun, themelet e një programit të PS", analizoi sërish në pika kryesore, çështjet e programit. “Dje”, tha Rama, “ unë e fillova këtë bashkëbisedim të gjatë mes nesh dhe publikut me pyetjen në çfarë Shqipërie duam të jetojmë: në atë të vërtetën apo në atë të gënjeshtërt? Sot, ne jemi si popull, të imponuar të jetojmë në një Shqipëri të gënjështërt. Ne duam ta zhbëjmë këtë imponim dhe të jetojmë në Shqipërinë e vërtetë, që di të thotë të vërtetën, që di ta dëgjojë e të jetojë me të vërtetën.
Dje, unë pyeta,”, përsëriti Rama, “në cilën Shqipëri duam të jetojmë: në një Shqipëri të lirë apo të trembur? Sot në jetojmë në Shqipërinë e trembur.
Ne jetojmë në një vend për të cilin programohet i njëjti avaz. Ja çfarë duam të ndryshojmë ne socialistët dhe progresistët. Ne nuk duam t’u afrojmë shqiptarëve, një listë premtimesh apo menu dëshirash për t’iu marrë votën, por një plan për t’iu ndryshuar jetën”.
BUSHATI : REFORMIM RRËNJËSOR, SHËRBIMIT DIPLOMATIK
14.02 Për çështjet e integrimit, foli Ditmir Bushati, i cili nënvizoi nevojën e “reformimit të shërbimit shtetëror diplomatik, duke e ndarë nga sëmundjet e partisë-shtet”; Shqipëria europiane është projekti i vetëm i thellimit të kursit të politikës konstruktive europiane. Projekti ynë nënkupton cilësinë e komunikimit të lirë duke respektuar tërrësinë territoriale të shteteve ku shqiptarët jetojnë. Projekti ynë nuk realizohet pa mbështetjen e shqiptarëve kudo që ata jetojnë në botë, pa votën e tyre”.
GJIKA: PËR 100 VJETOR, SALËS I BËMË GATI HELLIN, MEQË DELET I KISH VETË
13.37 “Nuk po i kërkoj gjë Kryeministrit sot, se e di që ai e ka merak vetë, Vlorën”. Kështu e filloi fjalën e tij, kryetari i bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, i cili tha në vazhdim se “ky kryeministër përbën pengesën më të amdhe për zhvillimin e qytetit të Vlorës. Politikat mediokre të kësaj qeverie janë shfaqur në praktikë në mënyrë konstante. Aq e vërtetë është kjo, sa qyteti i Vlorës është shndërruar në një ishull të izoluar nga toka, deti dhe ajri. I izoluar nga autostrada e pambaruar, nga deti i boshatisur nga mjetet lundruese dhe nga mungesa e një aeroporti, që vetëm një mendje si ajo e Salës nuk do ta pranojë.
Jemi përballuar me një Kryeministër pa vizion që nuk sheh më larg se interesat e kupolës së tij dhe me një Kryemnistër antivlorë, plot mllet e urrejtje ndaj saj, që guxoi të harrojë, qytetin e Flamurit në ditën e 100 vjetorit, po dështoi me turp. Se qytetarët janë qartësuar se cfarë përfaqëson ky njeri. Ne i treguam atij se mund të na pengojë, po jo të na bllokojë në besimin tonë për të ecur përpara. Për 100 vjetor,” shtoi me humor Gjika, “ në nuk do i dërgonim dele, se ato i kishte vetë, por i çuam fjalë se po i bënim gati hellin”.
SHKËMBI: POGRADECI I HARRUAR NGA QEVERIA MBAN SHPRESAT TEK PS
13.30 Artan Shkëmbi, Kryetari i bashkisë së Pogradecit e quajti penguese qeverinë. “Ka zero lekë investime nga ana e qeverisë”- tha ai, duke shprehur shqetësimin se liqeni i Pogradecit është i harruar.
“Vazhdojmë të mos pastrojmë liqenin e Ohrit për shkak të pengesave të qeverisë, kemi varfëri, papunësi e skamje. Nuk kemi shkollë profesionale. Liqeni është ndarë në 2 gjysma, një që jeton në jetën normale dhe një që fle në anën tonë. Peisazhet i dallon shumë lehtë sa të kalosh anën tjetër. Liqeni jonë i harruar, i fjetur, ku qytetarët futen vetëm me varka për të kapur pak peshk për t’u ushqyer. Do të kërkoja që lëvizja e lirë e qytetarëve nga toka, të kthehet dhe në lëvizje e lirë nëpërmjet ujit. Do të rindërtojmë molin e qytetit , për ti dhënë jetë lëvizjes përmes ujit”, tha Shkëmbi, duke shtuar se qytetarët janë gati të votojnë PS sepse është e vetmja shpresë.
DAKO: DURRËSIN DO TA BËJMË TAVERNËN E EUROPËS
13.22 Vangjush Dako, Kryetari i bashkisë së Durrësit, foli për zhvillimin e qytetit bregdetar dhe turizmit në përgjithësi. “Kemi shumë projekte turistike, për plazhe të reja, por edhe projekte sociale, kulturore, arsimore, strehimi. Për këto të fundit madje kemi probleme shumë me ata që kanë mbetur në rrugë nga vendimi normativ për nxjerrjen e nga shtëpitë e ish-pronarëve. Por, pas 23 qershorit do ta bëjmë Durrësin, qëndrën e Europës, jo nyje lidhëse për Ballkanin, por tavernë për Europën”.
KLOSI: DO NDËRTOJMË KORRIDORIN INDUSTRIAL DHE ATË TURISTIK
Ora 13.07 Blendi Klosi foli gjërësit për infrastrukturën rrugore, hekurudhore, ajrore. Ai tha se “sot janë rritur aksidentet në rrugët dytësore, plagosjet. Çfarë po ndodhe me njerëzit? Rrugët anësore janë zhdukur. Sot në rrugët e kombit harxhojmë mbi 106 milionë euro vetëm për mirëmbajtje, që po të kishim standarte më korrekte në rrugë, s’do të ishin harxhuar. Çfarë po ndodh me transportin detar e atë hekurudhor. U premtuan porte, po u nximë me atë të Petroliferës dhe atë të Porto Romanos.
Shohim që hidhen para në porte, por në ato pjesë që jepen me koncension e shfrytëzohen nga njerëzit e Olldashit.
Sot hekurudha shqiptare afron me vështirësi deri në 300 njerëz e kafshë bashkë.
Transporti ajror është bërë monopol: mbyllet “Albatros”, mbyllet “Albanian airlines”
Padyshim që PS e ka një vizion të së ardhmes. PS do të ketë infrastrukturën prioritet, atë rrugoren të parën, duke e parë si rrjet unik kombëtar; duke krijuar boshtin Shkodër - Vlorë e duke punuar me 4-5 linjat e jugut. Rruga e Kombit sot përfaqëson 60 km të bëra nga 200 km në standarte të pranueshme po jo europiane. Një propozim yni:, përfundoi Klodi, “është ndërtimi i Korridorit të Kaltër, atij industrial. Shqipëria ka nevojë për korridor industrial dhe ngritjen e Korridorit të Gjelbër, për turistët, që të mos shohin vetëm pjesën indstriale të Shqipërisë, por ta shohin atë edhe nga bregu i detit”
ZOGAJ: NDËRTIMI I EUROPORTIT TË SHËNGJINIT S’KA PSE TË JETË ËNDËRR
Ora 13.00 Preç Zogaj i ka dhënë rëndësi të madhe zhvillimit të sektorit të peshkimit dhe turizmit në zonat bregdetare, të cilat janë burim i madh të ardhurash për vendasit dhe Shqipërinë turistike. Në veçanti, ai vlerësoi projektin e “europortit të Shëngjinit, për përpunimin e anijeve deri 500 tonëshe, që do ta përfshijë Shqipërinë në hartën e interesave rajonale ekonomike dhe më gjërë. Qeveria e re”, tha ai, “|brenda mandatit katërvjeçar, i ka të tëra mundësitë të ndërtojë në breget 4-7 porte turistike dhe të bëjë një revolucion në këtë sektor” .
TARE: NË CILIN VEND NDODH QË PRESIDENTI TË BETOHET MBI NJË FLAMUR JOZYRTAR?!
Ora 12.40. Trashëgimia kulutore dhe shkatërrimi i saj, ishte tema që u trajtua nga deputeti Auron Tare: “Onufri është simboli i braktisjes së shtetit ndaj trashgimisë kulturore dhe nëse shkojmë në Europë pa identitetin tonë, kush do të jemi?! Një vend pa histori dhe qytetërim.
Një tjetër simbol po shkatërrohet përditë, Kruja, një tjetër vlerë që që Kryetarja jonë e Parlamentit na e përmend dhe na fton çdo ditë për të votuar ato ligjet e famshme. Në fakt, zonja Kryetare, mbrotja e Krujës është më e vlefshme se anakronizmi nacionalist i Kryeministrit tënd.
Kjo qeveri”, theksoi Tare, “jo vetëm ka neglizhuar deri në krim trashëgiminë tonë kombëtare, por deri edhe simbolin tonë, flamurin.
Parlamenti valëvit një flamur të shpërfytyruar, jozyrtar.
Në cilin vend Presidenti betohet mbi një flamur jozyrtar?! Në cilin vend ndodh që dëshmorët të varrosen nën një flamur të rremë?! Ndaj, në të nesërmen premtojmë të ndalojmë çdo rrëzim të mëtejshëm të trashëgimisë”
BALLA: DO HETOJME PASURINE E BERISHES
Ora 12: 50 “Do të kërkojmë procedim penal ndaj ministrave të përfshirë në korrupsion. Me të ardhur në pushtet Partia Socialiste PS do të hetojë pasurinë e familjes Berisha, do godasim korrupsionin”- premtoi deputeti socialist Taulant Balla.
BARAJ: DO NDALIM IMPORTIN E PLEHRAVE
Ora 12: 47 Deputeti socialist, Besnik Baraj shprehu shqetësimin për humbjen e specieve të rralla të biodiversitetit. Ai premtoi se në qeverisjen e socialistëve do ndërpritet importi i plehrave dhe eksporti i lëndëve drusore.
“Si ka qenë Lura, nuk është sot. Nuk ka investime për të ndaluar erozionin. Do ndërpritet improti i plehrave dhe eksporti i lëndës drusore dhe qymyrit të drurit. Atë që po i bën Berisha Shqipëria nuk ia ka bërë as fashizmi në kohën e tij. Brenda mandatit tonë nuk do ketë më derdhje të ujrave të zeza në bregdet”- tha Baraj.
BEQJA: VETEM 1 NE 40 FAMILJE NE FSHAT PERFITOI SUBVENCION NGA BERISHA, MADJE ME KORRUPSION
Ora 12.30 Ilir Beqja, i cili u cilësua nga Veliaj si "dekani i këtij universiteti të programit", iu kushtua gjatë çështjes së zhvillimit të bujqësisë dhe përfitimeve që fshati thuhet se ka pasur nga qeveria. "Në fshat", tha ai, të ardhurat janë më pak se gjysma e atyre që jetojnë në qytet, ndaj ne do të nxisim investimet private.
Politikat aktuale kanë mbështetur vetëm një pakicë fermerësh. I bie që në 40 familje, vetëm 1 ka përfituar nga politikat e subvencionit, madje edhe aty ka raste korrupsioni. Kur prokuroria shkoi në një fshat të Elbasanit të pyetse një nënë që kish mbjellë, 100-ra milionë lekë, mollë e portokalle, ajo tha: "Unë o bir, nuk dal dot nga shtëpia, jo të mbjell këto që thoni ju".
LAME: MBYLLIM PROCESIN E LEGALIZIMIT, HAPIM 300 MIJË VENDE
Ora 11:30 Artan Lame tha se të gjitha agjencitë e pronave do të mblidhen në një të vetme. “Do përfundojë procesi i legalizimeve, do themelojmë regjistrin e pronave.
Shkëlqim Cani tha se PS premton hapjen e 300 mijë vendeve pune brenda mandatit të parë dhe krijimin e Bankës Bujqësore për kreditimin me lehtësi të fermerëve.
KODHELI: BORXHI PUBLIK I RREZIKSHËM, DO MARRIM HAPA SERIOZË PËR ULJEN E TIJ
Ora 11:10 Deputetja socialiste Mimi Kodheli shprehu shqetësimin e rritjes së borxhit publik i cili është "sa trefishi i të ardhurave tatimore”. “Ne do fitojmë edhe pse na duhet të realizojmë një program të uljes së borxhit në bashkëpunim me FMN. Do marrim hapa seriozë për uljen e borxhit. Ne do synojmë jo me fjalë por me vepra rritjen ekonomike.”- tha Kodheli.
VELIAJ: MERRNI NJË MAKINË LLOGARITËSE SOT PËR TË VERIFIKUAR ULJET E TAKSAVE
Ora 11.00 "Merrni një makinë llogaritëse sot për të parë si do të ndryshojnë taksat, tatimet, si është e si do bëhet plani për ekonomimë para se të vendosni për të votuar", tha Erion Veliaj, para prezantimit të Mimi Kodhelit, Shkëlqim Canit, Eduard Shqalsit dhe Taulant Ballës.
LUIS AYALA: BETEJA JUAJ, ZGJEDHJET E LIRA. TË BËNI NJË QEVERISJE TË PASTËR
Ora 10.49 Luis Ayala, Sekretar i Përgjithshëm i Internacionales Socialiste, duke përshëndetur Konventën e Partisë Socialiste, tha:
“Ne kemi 170 qeveri të organizatës sonë, që qeverisin në mbarë kontinetin në mënyrë të sukseshme. Gjatë 20 viteve të fundit, në shumë vende të botës , si në vendin prej nga vij edhe unë, ka pasur një luftë thelbësore për të fituar demokracinë, por lufta thelbësore është e vetmja për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe patjetër ato që ju bëni, do të gjejnë jehonë tek familja jonë. E në fakt në këtë luftë, ne kemi qënë përkrah Edi Ramës, kemi qënë përkrah socialistëve shqiptarë. Në ato vende ku ne po qeverisim, arsyeja e dytë që kemi arritur demokraci, është se kemi arritur qeverisjen e mirë për popullin në një kohë kur kriza ka prekur shumë vende, përfshirë edhe SHBA-në. Në fakt ka pasur një origjinë dhe kjo krizë, tek ato gjera që ne kemi kundërshtuar, ndaj është një betejë që kërkon rregullim me jo më pak shpenzime, por me më shumë shpenzime për njerëzit.
Kemi parë dhe pjesë të tjera të botës, ku janë ato parti që kanë ndjekur atë ç’ka ne kemi thënë, ç’ka ne kemi dëgjuar këtu, luftën kundër krimit, përkrahjen e grave etj. etj; e në fakt," përfundoi Ayala, "kjo është arsyeja pse beteja juaj është shumë e rëndësishme për ne: që ju të bëni pikërisht ato që thatë dje, të bëni një qeverisje të mirë, të pastër”.
ÇFARE NDODHI DITEN E PARE TE KONVENTES 22 SHKURT
Kryetari Edi Rama tha dje se ky program i jep përgjigje gjithë shqiptarëve për të bërë zgjedhjen e duhur në 23 qershor. Kreu i opozitës paraqiti alternativën e PS në të gjitha fushat, si premtime për zgjedhjet e 23 qershorit
Në çfarë Shqipërie duam të jetojmë? Si duam të jetë vendi ynë pas 10, 20 apo 30 vjetësh? Cila është zgjedhja që duhet të bëjnë shqiptarët në 23 qershor? Me këto pyetje, kryesocialisti Edi Rama, çeli dje ditën e parë të Konventës së Partisë Socialiste.
Me një risi për Shqipërinë, kjo konventë vjen sipas modelit amerikan ku shpalos piketat kryesore të fushatës së 23 qershorit dhe skemën e qeverisjes pas zgjedhjeve. Niko Peleshi dhe Ilir Beqja, si moderatorë të saj, prezantojnë çështjet dhe folësit.
Konventa, shpalos gjithashtu risi për nga mënyra e konceptimit, nëpërmjet videos të transmetuara në Pallatin e Kongreseve, ku deputetë, bashkiakë dhe figura të PS-së paraqesin për 30 sekonda, esencën e programit qeverisës të PS-së për sektorët më jetikë të vendit. Ndërkohë pak orë para fillimit të Konventës, Rama ftoi gjithë qytetarët shqiptarë të ndjekin direkt, sesionet e këshillimit me ekspertë shqiptarë dhe të huaj, për ta përsosur këtë program.
RAMA: PSE DUHET TE VOTONI PS ME 23 QERSHOR
Ora 17:00 Kryetari i Partisë Socialiste në fjalën e tij para të pranishmëve sqaroi esencën e kësaj Konvente të cilën e përcaktoi si një mënyrë për t’u dhënë përgjigje shumë pyetjeve si dhe një paraqitje të përmbledhur të një pune të jashtëzakonshme, siç quajti lideri i opozitës angazhimin e deputetëve në Programin e PS.
Rama premtoi se gjatë qeverisjes që ai synon të ketë pas fiores në zgjedhjet e 23 Qershorit, nuk do të lejojë që kultura e pandëshkueshmërisë të bëjë ligjin në Shqipëri. Rama theksoi se në ndryshimet që PS do t’i sjellë Shqipërisë, arsimi do të jetë jo më një skemë piramidale.
“Pse jemi ne PS të vetmit që mund të garantojmë mbrojtjen e territorit të trashëgimisë tonë? Si do ta pastrojmë Shqipërinë nga plehrat dhe do ta zhbëjmë menjëherë ligjin për importin e plehrave,
si do ta trajtojmë çështjen me pronarët? Për të përndjekurit pse do të gjejnë tek PS partnerin që i ka munguar 20 vjet në krahun tjetër?”, këto pyetje sipas Ramës do të prezantohen gjerësisht në konventat dy ditore të socialistëve.
TAHIRI: NJE POLICI KUNDER KRIMIT
Ndërkaq, kreu i Partisë Socialiste për Tiranën, deputeti Saimir Tahiri vuri në fokus ndryshimet që PS do të sjellë në policinë e Shtetit, për një rikonceptim të saj nga një institucion aspak transparent siç e cilësoi ai, në një instrument që lufton krimin.
“Parimi “Një Shtet, një Polici”, do jetë shtrati për të riorganizuar dhe koordinuar çdo hallkë, në mënyrë që të mos ndodh më që krimi të marrë rrugët derisa agjencitë e ndryshme të mbarojnë lojën “e ka kush e ka”. Nuk do ketë më lloj-lloj policish, që në këto 8 vjet, dhe njëra-tjetrës i janë sulur për interesa pushteti, por vetëm krimit dhe keqbërësve nuk i janë sulur kurrë aq sa duhet, por do jetë vetëm një polici dhe maksimalisht efektive në goditjen e pamëshirshme ndaj krimit: Policia e Shtetit Shqiptar.Policia e Shtetit do të riorganizohet duke u çliruar nga burokratizimi, nga drejtorët që ngatërrojnë njëri tjetrin, që urdhërojnë njëri tjetrin e që në fund të ditës, urdhrat nuk i zbaton askush. Të gjitha agjencitë ligjzbatuese, pavarësisht varësisë hierarkike në hartën institucionale të shtetit, do i përgjigjen të njëjtit mision, të njëjtit objektiv, të njëjtës axhende veprimesh, për sa kohë i përgjigjen të njëjtëve qytetarë që paguajnë taksa për të marrë mbrapsht fillimisht qetësinë dhe sigurinë, e pastaj mirëqenien. Ne do të themelojmë Byronë Kombëtare të Hetimit, si njësia e specializuar që do të përqendrojë funksione themelore të Policisë së Shtetit; si analiza e të dhënave dhe informacionit kriminal; drejtimi i luftës kundër trafiqeve të qenieve njerëzore, armëve, drogës, pastrimit të parave dhe korrupsionit; njësitë speciale të agjentëve në mbulim; antikrimi ekonomik; mbrojtja e dëshmitarit dhe shumë funksione të tjera me rol kyç në luftën kundër krimit të organizuar, antiterrorist, por dhe korrupsionit. Ndërkohë që Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm nga kamzhik politik brenda radhëve të policisë që është sot, do kthehet në instrument për të garantuar integritetin dhe ligjshmërinë në çdo hap të veprimtarisë së Policisë së Shtetit. Ne do t’i japim garanci dhe paprekshmëri punonjësit të policisë që zbaton ligjin dhe përmbush detyrën. Duke filluar nga trajtimi financiar”, tha Tahiri.
Në 30 sekonda për çdo çështje, u deklarua se:
"Ne marrim përsipër t'i japim fund njëherë e përgjithmonë, hipokrizë me shtresën e të përndjekurve. Për ish-të përndjekurit mbi 75 vjet, dëmshpërblim të plotë brenda një viti".
Ne do ta heqim menjëherë, taksën e biznesit të vogël dhe do ta mbështesim fort, rritjen e të punësuarve në biznesin e vogël
Në Shqipërinë e rilindur, asnjë biznesmeni nuk do t'i bëhet shantazh.
Jo taksë të sheshtë, por taksim të ndershëm; ai që fiton më shumë, do paguajë më shumë. Do të heqim taksën e biznesit të voqël dhe taskën e arbitraritetit për biznesin e madh. Do zhbëjmë klientelën e biznesmenëve të privilegjuar
Do të pesëfishojmë financimin për bujqësinë; do heqim taksën për plehtat kimike, fidanët, farërat.
Do ketë një ofertë turistike të unifikuar me Kosovën. Gjithçka në dispozicion të turizmit, nga Brezovica në Butrint.
Do të çlirojmë qytetet tona; programi ynë për qëndrat e banuara, ka qasje të re. Berati dhe Gjirokastra do të rilindin si dy qendra të trashëgimisë kulturore shqiptare dhe botërore
Shqipëria europiane është projekt dinjiteti në marrëdhëniet ndërkombëtare".
Përmbylljen e videove të shkurtra me mesazhet e secilit prej anëtarëve të grupit të punës, e bëri kreu i PS-së, Rama, i cili tha: "Ne kemi një program të ri për një rilindje shqiptare; falë programit tonë të ri, shqiptarët kanë një zgjedhje të re për të bërë më 23 qershor!"
KONVENTA
PROGRAMI: SI DO QEVERISE PS
Gazeta "Shqiptarja.com" publikoi sot në mënyrë të përmbledhur se çfarë do të thonë për programin, një pjesë e referuesve të PS, në Konventën dy ditore të socialistëve.
Saimir Tahiri - Rendi,siguria: “Duam një Shqipëri të rilindur që në territorin tonë, në mbrojtje të Kushtetutës e të ligjit, për të garantuar sigurinë e çdo individi e paprekshmërinë e çdo prone private apo publike, do ketë një polici besnike të shtetit e të qytetarit. Në 300 ditët e para ne do rivëmë policinë e shtetit në krye të detyrës e do tu kthejmë shqiptarëve sigurinë e humbur”.
Ditmir Bushati - Evropa: “Të vetëdijshëm për përkatësinë tonë evropianë në zemër e kulturë vlerësojmë se aderimi në BE përbën objektiv kombëtar, në funksion të demokratizimit e transformimit të shoqërisë, në përputhje me vlerat e parimet e BE. Një Shqipëri që shkon drejt BE duke ndërtuar shoqërinë e dijes dhe të bashkëjetesës demokratike, të mirëqenies ekonomike, të shërbimeve publike në çdo zonë të vendit. Shqipëria Evropiane për ne s’është sllogan por projekt politik e qeverisës. Eshtë projekti politik i rrugës së bashkimit tonë kombëtar nën flamurin e BE, projekti qeverisës i një Rilindjeje Kombëtare”.
Mimi Kodheli - Papunësia dhe punësimi: “Në Shqipërinë e sotme janë një milionë të papunë. Ne duam një Shqipëri të rilindur përmes punësimit real. Do 10-fishojmë financimin publik për punësimin. Të gjithë të papunëve të regjistruar do t’u ofrohet trajnim profesional falas brenda dy viteve. Gratë e papuna do gjejnë tek ne mbështetje që nuk e kanë pasur kurrë”.
Taulant Balla - Korrupsioni: “Duam një Shqipëri të rilindur përmes një qeverisjeje transparente. Do të bëjmë transparencë për çdo praktikë abuzive apo të dyshimtë privatizimi, ose koncensioni dhe do t’i kthejmë publikut çdo pasuri të përfituar me korrupsion, duke kërkuar ndëshkim për çdo shkelës të ligjit. Kush pyet se ku do ti gjeni lekët për programin e Rilindjes, i themi se mos harro që në 7 vitet e qeverisjes së Saliut janë zhdukur nga Shqipëria 1.2 miliardë dollarë e po kaq të tjera janë dëm ekonomik. Mjafton të godasim ashpër korrupsionin, krimin ekonomik dhe evazionin fiskal për të financuar rilindjen që Shqipëria meriton”.
Ermonela Felaj - Drejtësia: “Një qeverisje e drejtë është themeli i një shteti të së drejtës. Kur qeveria shkel përditë liritë e të drejtat kushtetuese të qytetarëve e s’lë ditë pa bërë një zullum në shkelje të ligjit, nuk ke çfarë drejtësie kërkon në dyert e gjykatave. Duam një Shqipëri të rilindur përmes votës së popullit sovran që do zgjedhë një qeveri në shërbimin e vet. Me një qeveri që do t’i shërbejë popullit, interesave kombëtare dhe publike të shqiptarëve. Do hapim rrugën e drejtësisë që bën drejtësi”.
Lindita Nikolla - Biznesi i vogël: “Ne duam nbjë Shqipëri të rilindur përmes biznesit të vogël. Më shumë se 400 mijë njerëz janë të vetëpunësuar me biznes të vogël dhe kanë sot një barrë taksash më të rëndë se një biznesmen i madh. Në blloqet e veresies të dyqaneve të biznesit të vogël janë sot rreth 150 milionë euro ushqime të papaguara. Tani qeveria u kërkon ta paguajnë dhe 70 dollarë më shumë për kokë për sigurime shoqërore. Ne do heqim menjëherë taksën e biznesdit të vogël për t’u dhënë frymë këtyre 400 mijë njerëzve. Do mbështesim rritjen e numrit të vetëpunësuarve”.
Arben Ahmetaj - Biznesi i madh: “Ne duam një Shqipëri të rilindur përmes një aleance strategjike me biznesin. Taksimi i ndershëm s’do thotë më shumë rëndesë për biznesin e madh, por më shumë kontribut, më shumë liri, ligjshmëri, shtet në shërbim të biznesit. Asnjë biznesmen s’do të jetë nën shantazhin e pushtetit dhe nën sulmin e gjobvënësve të pushtetit. Konkurrenca do jetë e lirë e marrëdhënia e qeverisë me biznesin do jetë transparente, për të mirën e biznesit e të vendit tonë që përmes biznesit do të rrisë dhe mirëqenien”.
Vangjush Dako - Turizmi: “Shqipëria që duam të rilindim do ketë një ofertë turistike të re e të unifikuar me Kosovën. Gjithçka disponojmë në thesarin tonë të trashëgimisë së lashtë e moderne në trojet shqiptare do ta vëmë në dizpozicion të turizmit. Mjediset rurale me klimë, peisazh, zakone e kulinari të larmishme do përfshihen në ofertën turistike shqiptare për vizitorët vendas dhe të huaj, nga Brezovica në Butrint. Por dhe në qytetet tona ne kemi një plan të ri për të zhvilluar industrinë e turizmit”.
Ilir Beqja - Bujqësia: “Fshati është i braktisur nga shteti. Zhvillim rural jo braktisje të fshatit është rruga jonë për Shqipërinë që duam të rilindim. Do 5-fishojmë financimin publik për mbështetjen e bujqësisë, rimëkëmbim sistemin e kanaleve ujitëse e kulluese, do heqim akcizën e taksën e qarkullimit të naftës bujqësore, do hapim rrugët e daljes së prodhimit në treg, do kemi hartën e rajonalizimit të prodhimit bujqësor e blegtoral do ndërtojmë urën e një bashkëpunimi të ngushtë me Kosovën për zhvillimin e integruar të bujqësisë e blegtorisë në dy shtetet shqiptare. Bashkimi doganor është pjesë e programit tonë”.
Eduard Shalsi - Mjedisi: “Shqipëria që duam të rilindim do të ketë një zhvillim të gjelbër. Kurrë më shkatërrime pyjesh, lumenjsh, plazhesh apo qendra të trashëgimisë kulturore si Kruja nën renë e ndotjes prej shfrytëzimit barbar të natyrës. Plani i përgjithshëm kombëtar do t’i japë fund shfrytëzimit kuturu të tokës, vendi për zhvillime me pasoja të rënda mbi nëj pasuri kombëtare kaq të cënuar në këto vite si toka e bukës apo peisazhi i mrekullueshëm i Shqipërisë. Agjencia kombëtare e Bregdetit do të hapë një epokë të re zhvillimi harmonik mes turizmit dhe natyrës”.
Niko Peleshi - Qyteti: “Shqipëria që duam të rilindim do të çlirojë qytetet nga plagët e gjithë këtyre viteve politikash qorre dhe buxhetesh të varfra. Programi ynë për qendrat e banuara ka një qasje të re komunitare. Planet e zhvillimit do të fillojnë më në fund të realizohen. Nga Tiranë në Durrës, Elbasan e Korçë, nga Kukësi në Peshkopi, Shkodër, Lezhë Fier e Vlorë do shtrihet rruga e rilindjes së ëndrrave e shpresave të vrara në këto vite rrënimi të vazdueshëm. Berati dhe Gjirokastra do rilindin si dy qendra të trashëgimisë kulturore jo vetëm shqiptare por dhe botërore”.
Shkëlqim Cani - Pronësia: “Shqipëria që duam të rilindim ka një çështje pronësore për të zgjidhur njëherë e mirë: Pronarëve që duan t’u kthehet prona, fermerëve që duan të përfitojnë pronësinë nga procesi i legalizimit u duhet me patjetër një pronë e regjistruar e me certifikatë. Ne do t’ua japim. Do t’u garantojmë të gjithëve një pronësi të plotë dhe të qarkulllueshme në tregun e tokës e të pasurive të patundshme. Mirëqeverisja jonë do shtojë vlerën e çdo pasurie të patunshme në Shqipëri”.
Ledi Shamku - Arsimi parauniversitar: Shqipëria që duam të rilindim ka një çështje për të zgjidhur, atë të arsmimit parauniversitar. Do të bëjmë gjithçka që arsimit shqiptar t’i rikthehet dinjiteti, arsmitarët do jenë të mirëpaguar e jo nën presionin e politikës.
Milena Harito - Teknologji e informacionit dhe Inovacioni: “Në Shqipërinë që duam të rilindim teknologjia dixhitale do jetë një mundësi e re për të kapërcyer barrierat ekonomike dhe financiare. Me futjen e tabletave dixhitale në arsim ne do shembim pengesat që ndajnë ekonomikisht dhe shpeshherë dhe gjeografikisht fëmijët e varfër nga bota shkollore. Në shëndetësi tableti dixhital do të kurojë korrupsionin kanceroz ndërsa në shërbimet e shtetit ndaj publikut teknologjia do hapë një epokë të re”.
Alfred Peza - "Free Media": “Në Shqipërinë që duam të rilindim s’do ketë më reklama qeveritare për të ushqyer media antiopozitare. TVSH-ja do të bëhet modeli i shërbimit publik dhe informacionit pluralist. Epoka e ekraneve private të nënës dhe njerkës do të mbyllet më 23 qershor. Asnjë sipërmarrës në shtyp nuk do ndjejë më presionin e pushtetit për shkak të linjës editoriale. Qeverisja jonë do të garantojë normën kushtetuese të lirisë së informacionit për të gjithë veprimtarinë e saj.
Eglantina Gjermeni - Varfëria dhe solidariteti: “Sot të varfërit apo personat me aftësi të kufizuar kanë humbur edhe të drejtën më minimale, të drejtën për t’u dëgjuar. Të papunët kanë humbur edhe të drejtën për t’u regjistruar si të papunë. Vajzat dhe gratë vuajnë gjithnjë e më shumë pabarazinë gjinore. Për Shqipërinë që duam të rilindim do kemi një qeveri që do të kurojë me përkushtim plagën e madhe të nëpërkëmbjes së dinjitetit njerëzor”.
Keti Bazhdari - Të përndjekurit politikë: “Socialistët përulen përpara martirëve e viktimave të rezistencës antikomuniste si dhe vlerësojnë me nderim sakrificat dhe vuajtjet e të përndjekurve politikë në diktaturën enveriste. Ne marrim përsipër t’i japim fund njëherë e përgjithmonë hipokrizisë e abuzimit 20 vjeçar me këtë shtresë. Programi ynë për një Rilindje Shqiptare do ketë në vëmendje të veçantë ish të përndjekurit politikë e do të shtrihet në 3 linja, të integrimit ekonomik, integrimit social dhe moral. Në planin ekonomik do rrisim grupin e përfituesve mbi bazën e kritereve ligjore duke përfshirë të gjithë ata që janë lënë jashtë skemave të dëmshpërblimit e që u takon. Do t’i jepet me një këst dhe brenda një viti dëmshpërblimi të gjithë atyre ish të përndjekurve që janë mbi 75 vjeç duke u njohur statusin e të përndjekurve politikë”.
Elisa Spiropali - Rinia: “Papunësia rinore është sot kërcënimi më i madh për të nesërmen e vendit tonë. Në Shqipërinë që duam të rilindim, çdo djali dhe vajze të papunë nën moshën 25 vjeç do t’i ofrohet mundësia e një trajnimi profesional falas. Do financojmë me mikrokredi të rinjtë që duan të vetëpunësohen përmes një biznesi të vogël. Llotaria kombëtare do t’i kthehet publikut dhe me të ardhurat e saj do financojmë sportin e politikat tona të reja rinore”.
Olta Xhaçka - Dhuna ndaj grave: “Në Shqipërinë e rilindur do të përgjysmohet papunësia femërore. Të gjitha grave dhe vajzave do t’u ofrojmë një shans punësimi, vetëpunësimi ose trajnimi. Qeverisja jonë do jetë shembullore në betejën për barazi gjinore dhe kundër dhunës ndaj grave. Ne s’do lejojmë më që nga më shumë se gjysma e lindjeve të kemi fëmijë nënash të pasiguruara. Do të financojë shteti barrëlindjen e çdo gruaje”.
Fidel Ylli - Sporti: “Çdo lek i investuar në sport do thotë të paktën dy lekë i kursyer në shëndetësi. Shqipëria do rilindë dhe përmes rilindjes së sportit për të gjithë. Do kultivojmë talentin sportiv dhe do nxjerrim dhe kampionë në rang botëror në disa sporte, por në radhë të parë do të prodhojmë kulture sportive në shkollë, universitet dhe komunitet. Sepse për ne kultura sportive është burimi i zhvillimit qytetar, social e ekonomik”.
Erjon Veliaj - Emigracioni: “Nga vota e 23 qershorit për një Rilindje Shqiptare do dalë qeveria e parë që u shërben njësoj të gjithë shqiptarëve, përfshi dhe ata që punojnë e jetojnë jashtë vendit. Në kuadër të shërbimit të jashtëm do krijojmë shërbime të posaçme për emigrantët sipas praktikave të mira. Televizioni Publik do ketë një kanal satelitor vetëm për transmetime edukuese dhe kulturore, ku pjesën e tyre do kenë edhe emigrantët dhe fëmijët e tyre. më pas emigrantëve do tu japim të drejtën e votës aty ku ndodhen për të zgjedhur qeverinë këtu në atdheun e tyre”.
Lajmi u perditesua
Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)