E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama:Integrimin nuk pengon bojkoti por arsyet e bojkotit

“Sali Berisha u tha dje shqiptarëve nga kutia e mbyllur e parlamentit se duhet të jenë të lumtur që jetojnë në Shqipëri, ku ndryshe nga e gjithë bota jo vetëm nuk ka krizë ekonomike, po përkundrazi, sipas Saliut ka një zhvillim ekonomik që bota mbarë na e ka zili”, theksoi Rama.

Ai e akuzoi Berishën se nuk pranon që Parlamenti të bëjë gjykatësin e zgjedhjeve, duke shtuar se vetë Berisha u ndenji mbi kokë gjykatësve duke i detyruar të japin vendimin e zymtë për lirinë e demokracinë shqiptare.

“Por, ndryshe nga atëherë Shqipëria nuk do të fundoset bashkë me ty, sepse po nuk i hape rrugën lirisë dhe demokracisë duke hapur kutitë e 28 qershorit, do detyrohesh t’i hapësh t’i vetë rrugën Shqipërisë shumë më përpara sesa ç’mund të të duket sot. Do të duhet të largohesh me zgjedhje shumë të parakohshme, Sali Berisha”, nënvizoi shefi i opozitës. Rama tha më tej protesta e tyre nuk ka lindur nga dëshira për të protestuar por për të kërkuar të drejtën e tyre.

“Bojkoti i parlamentit nuk është zgjedhja jonë, por e vetmja rrugë që kemi sot për të mbrojtur demokracinë nga një deformim dramatik me bazë deformimin zgjedhor, për të luftuar për liri e të drejta të cilat po fashiten si pasojë e shpërfytyrimit të pushtetit ekzekutiv në një regjim oligarkik që po shkon drejt kthimit të Shqipërisë në një skemë të mbyllur politike”, vijoi kreu i PS-së.

Ai tha më tej integrimin nuk e pengon bojkoti, “por e pengojnë pikërisht arsyet që na shtynë ne ta ndërmarrim këtë rrugë të vetme për të shtruar për zgjidhje një problem të rëndë shqiptar si zgjedhjet e deformuara”.
“Kemi qenë dhe do të jemi gjithnjë të gatshëm të bisedojmë, të dialogojmë, të zgjidhim çdo problem madhor e sfidë madhore të vendit duke përdorur forcën e arsyes, jo arsyen e forcës”, përfundoi Rama.

                                                                                             

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›