E Diel, 1 Nëntor 2026

Rampë ekologjike për personat me aftësi të kufizuara në pedonalen e Himarës

TIRANË, 29 qershor /ATSH/ Nisma “Deti pa Barriera” që ka nisur në bregdetin e Himarës, synon promovimin e një turizmi ku gjithëpërfshirja, barazia dhe dinjiteti njerëzor nuk janë thjesht koncepte, por realitete të prekshme.

Agjencia për Media dhe Informim (MIA), bën me dije se në pedonalen e Himarës është inauguruar një rampë ekologjike e dedikuar për personat me aftësi të kufizuara, në kuadër të nismës “Deti pa barriera”.

“Kjo iniciativë e bën detin Jon më të aksesueshëm, duke u ofruar personave me aftësi të kufizuara mundësinë të shijojnë detin në mënyrë të sigurt, të pavarur dhe me dinjitet gjatë këtyre ditëve të nxehta të verës”, thuhet në njoftim.

Sipas MIA-s, shembulli vjen nga Himara, duke promovuar një bregdet më gjithëpërfshirës, ku çdo qytetar mund të gëzojë të drejtën për të shfrytëzuar hapësirat publike pa pengesa.

Rampa e re, e ndërtuar me materiale miqësore ndaj mjedisit (ekologjike), është projektuar për të hequr pengesat fizike që kanë kufizuar ndër vite lëvizjen. Përmes saj, personave me aftësi të kufizuara u mundësohet një akses i lehtë, i pavarur dhe i sigurt drejt detit dhe hapësirave të tjera publike përgjatë vijës bregdetare.

Gjatë ceremonisë inauguruese, e cila bëri bashkë aktivistë, qytetarë dhe drejtues vendorë, u theksua domosdoshmëria e ndryshimit të qasjes institucionale ndaj infrastrukturës publike.

Ky zhvillim shënon një standard të ri për bashkitë bregdetare, duke nxitur krijimin e mjediseve ku çdo individ, pavarësisht kufizimeve fizike, mund të shijojë natyrën dhe pushimet njëlloj si të tjerët.

/e.i/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›