E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ramush Haradinaj pro koalicionit me PDK-në

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i ka thënë po koalicionit me PDK-në, pavarësisht se sekretari i partisë Burim Ramadani të dielën mbrëma ka deklaruar se mesazhi i kryetarit Haradinaj është të hyhet në koalicion me të vetmin kusht, nëse kryetari i PDK-së dhe kryeministri në largim, Hashim Thaçi nuk do të jetë kryeministër.
 

Lajmi është konfirmuar për mediat kosovare nga burime shumë të afërta me tre zyrtarët e AAK-së që kanë qenë në Hagë, Ahmet Isufi, Blerim Kuçi dhe Ali Berisha.
 

Sipas këtij burimi, ata gjatë të së premtes kanë udhëtuar për në Hagë dhe janë pritur nga Ambasadori i Kosovës në Holandë, ndërsa të shtunën janë takuar me Ramush Haradinajn, i cili i ka thënë po koalicionit dhe nuk ka vendosur kusht që kryeministri në largim Hashim Thaçi të jetë apo jo kryeministër.
 

Për koalicion me PDK-në janë shprehur edhe të gjitha degët e AAK-së, ndërsa i vetmi modalitet që ka mbetur të diskutohet është nëse kjo parti do të marrë presidentin dhe katër ministri apo një zëvendëskryeministër dhe gjashtë ministri të tjera.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›