E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raportet Kosovë-Turqi, shembullore

Turqia do t’i jap përkrahje Kosovës posaçërisht në procesin e njohjes së pavarësisë së saj dhe do ta mbështesë edhe dialogun që po zhvillohet në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kështu është shprehur ministri i jashtëm turk, Ahmet Davutoglu, gjatë takimit që zhvilloi me presidenten e vendit, Atifete Jahjaga në Munih të Gjermanisë.

Presidentja ndërkaq, i shprehu mirënjohje ministrit Davutoglu për ndihmën që Turqia po vazhdon t’i japë Kosovës.

“Kosova ka përparuar në agjendën e saj evropiane dhe po përmbushë të gjitha standardet të kërkuara nga BE-ja, përfshirë ato për liberalizimin e vizave dhe për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit. Republika e Kosovës është shndërruar në faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon dhe po kontribuon në ndërtimin dhe forcimin e fqinjësisë së mirë”, ka thënë Jahjaga.

Duke folur për dialogun ndërmjet dy vendeve, Kosovës dhe Serbisë, Presidentja Jahjaga theksoi se normalizimi i marrëdhënieve do t’i kontribuojë paqes dhe stabilitetit në gjithë rajonin dhe do të lehtësojë jetën e qytetarëve nga të dyja anët e kufirit.

“Takimi mes dy presidentëve të shteteve të pavarura dhe sovrane, do ta ndihmojë procesin e dialogut dhe do ta përshpejtojë agjendën evropiane për gjithë rajonin e Ballkanit”, ka theksuar më tej Jahjaga.

Ndërkaq, më tej, Jahjaga ka thënë se Kosova dhe Turqia duhet të thellojnë marrëdhëniet ndërmjet tyre në veçanti në fushën e ekonomisë dhe të investimeve. Ajo i përcolli ministrit turk ftesën për Presidentin e Republikës së Turqisë për ta vizituar Kosovën në një të ardhme të afërt.Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›