Raporti: “Toka bujqësore rrezikohet nga ndërtimet pa leje dhe gërryerjet e lumenjve”
Në 2008-n ka pasur 4300 ndërtime pa leje në tokat bujqësore. Rreth 39 firma inerte në lumenj rrezikojnë 12 mijë ha tokë buke
Ervin KOÇI
Toka bujqësore, e thënë në gjuhën popullore “toka e bukës”, në vendin tonë është në rrezik të vazhdueshëm dhe drejt pakësimit. Këtë alarm e ka dhënë dje Komiteti Shtetëror i Mbrojtjes së Tokës nëpërmjet një raporti, i cili ka marrë në studim situatën e tre viteve të fundit të tokës bujqësore në Shqipëri. Ndërtimet e paligjshme, pa kriter dhe pa plane urbanistike, erozioni dhe gërryerjet e lumenjve, si dhe marrja e materialeve inerte nga shtretërit e lumenjve dhe përrenjve, janë disa prej arsyeve më kryesore që po dëmtojnë tokën bujqësore në vend. Sipas ekspertëve, vetëm nga marrja e materialeve inerte në shtretërit fushorë të lumenjve të vendit, me dhjetëra hektarë tokë bujqësore përfundojnë çdo vit në det. Në fjalën e tij, ministri Gjana tërhoqi vëmendjen për punën e pamjaftueshme të Komisioneve të Mbrojtjes së Tokës në qarqe dhe komuna. "Ka më tepër konstatime se sa masa konkrete ndaj shkelësve të ligjit", - deklaroi ministri Gjana. Komiteti ka paraqitur dje si detyrë emergjente mbrojtjen e tokës bujqësore nga ndërtimet e paligjshme që janë shtuar edhe gjatë vitit të fundit, si dhe marrjen e masave ndaj faktorëve natyrorë që e dëmtojnë atë. Duke u ndalur në situatën aktuale, Gjana tha: “Janë rreth 4300 ndërtime pa leje në tokat bujqësore, që janë bërë pas mbylljes se afatit ligjor të deklarimit të tyre dhe ne duhet të kishim sot po kaq procedime penale, por ato nuk janë bërë”.
Ndërtimet pa leje
Mbrojtja e tokës bujqësore nga ndërtimet e paligjshme, si dhe marrja e masave ndaj faktorëve natyrorë që e dëmtojnë atë, ishin çështjet më të rëndësishme që u diskutuan dje në mbledhjen e djeshme të Komitetit Shtetëror të Mbrojtjes së Tokës. Në këtë takim, ku ishin të pranishëm kryetarët e këshillave të qarqeve, fillimisht u prezantua një informacion i zgjeruar i Inspektoratit Shtetëror të Mbrojtjes së Tokës, që është strukturë e MBUMK-së, i cili vuri në dukje se faktorët njerëzorë dhe natyrorë vazhdojnë të dëmtojnë tokat bujqësore. Sipas këtij raporti, "vetëm dy vitet e fundit, nga ndërtimet pa leje janë dëmtuar 255 ha tokë”. Mbi 4300 ndërtime në zonat ku është regjistruar trualli si tokë bujqësore vetëm gjatë vitit 2008, janë problemi kryesor i raportit më të fundit ndaj të cilave shteti nuk ka marrë akoma asnjë masë. Sipas ministrit të Bujqësisë, Gjana, ndaj të gjitha këtyre ndërtimeve të paligjshme shteti duhet të marrë menjëherë masa për të çliruar tokën bujqësore nga betonizimi dhe copëtimi i saj në ngastra. "Ne kemi përgjegjësi të madhe jo vetëm për të kontrolluar, por edhe për të proceduar. Baza ligjore për këtë drejtim ekziston dhe nuk ka asnjë pengesë për prishjen e tyre", - tha ministri Gjana. Në fjalën e tij, ministri Gjana, i cili është edhe kryetar i këtij komiteti, tërhoqi vëmendjen për punën e pamjaftueshme të Komisioneve të Mbrojtjes së Tokës në qarqe dhe komuna.
Gërryerja e tokës
Raporti mbi gjendjen e tokës bujqësore në vend, i paraqitur dje në Komitetin Shtetëror të Mbrojtjes së Tokës nga Ministria e Bujqësisë, vinte theksin edhe mbi një problem tepër të madh siç është ai i vazhdimit të marrjes së materialeve inerte nga shtretërit e lumenjve. Sipas specialistëve, marrja e materialeve inerte nga shtretërit e lumenjve të vendit është një prej shkaqeve kryesore që çdo vit hedh në det me dhjetëra hektarë tokë bujqësore si pasojë e gërryerjeve dhe erozionit. “Meandrimet e shpeshta të lumenjve për shkak të marrjes së materialeve inerte të depozituara, thellimi artificial i shtratit në ato zona ku lumi depoziton, si dhe shtimi i furisë, përmbytjeve dhe forcës erozive që vjen si pasojë e gërryerjeve të inerteve dhe zhavorreve, janë faktorët kryesorë të shkëputjes së qindra mijëra metrave kub tokë e për pasojë të hedhjes në det të dhjetëra hektarëve tokë bujqësore”, - thuhej në raport. Më tej, raporti theksonte faktin se, “vetëm nga marrja e materialeve inerte në shtretërit e lumenjve, që janë pranë tokave bujqësore, janë dëmtuar 80 ha tokë bujqësore vetëm gjatë vitit 2008”. Ndërkohë që dëmtime të tokës bujqësore në shumë qarqe të vendit ka pasur edhe nga përmbytjet, si pasojë e vërshimit të lumenjve në zonat fushore të vendit.
Ministria e Bujqësisë, konflikt interesi me Ministrinë e Mjedisit
Ministria e Mjedisit, që ka për detyrë kujdesin për ujërat, pyjet, tokat dhe shtretërit e lumenjve, është kthyer në “armikun” më të madh të këtyre të fundit. Kjo për shkak të lejeve të dhëna pa kriter për firmat e shumta (lavatriçet e zhavorrit) që shfrytëzojnë materialet inerte në shtretërit e lumenjve, si dhe për firmat që presin drurët në pyjet pranë shtretërve të lumenjve, gjë që ka dëmtuar direkt tokën bujqësore në vend. Komiteti Shtetëror për Mbrojtjen e Tokës vuri dje theksin edhe në punën që do të bëhet gjatë këtij vit për mbrojtjen e tokës në brigjet e lumenjve, ku po punohet për mbylljen e 39 objekteve që merren me lëndët inerte, të cilëve leja u është dhënë direkt nga Ministria e Mjedisit. Sipas specialistëve të tokës, kufizimi i aktivitetit të këtyre firmave ose mbyllja e tyre do të garantonte mbrojtjen e tokës në 12 mijë hektarë të tjerë që rrezikohen. Gjithashtu, në kuadër të masave për mbrojtjen e tokës bujqësore, MBUMK-ja do të vazhdojë punën për kullimin e 40 mijë ha tokë në Ultësirën Perëndimore, etj. Detyrat që dolën nga kjo mbledhje do të ndiqen edhe nga Inspektorati edhe nga kryetarët e qarqeve për mbrojtjen e kësaj pasurie kombëtare, siç është toka bujqësore.
31 Mars 2009