Banka Islamike blen 40 për qind të aksioneve të BBSH-së për 8 milionë USD
Ministri i Financave Ridvan Bode, si dhe përfaqësuesi i Bankës Islamike për Zhvillim (IDB), Azfar Hussain Qarni, nënshkruan dje marrëveshjen për privatizimin e 40 për qind të aksioneve të shtetit shqiptar në Bankën e Bashkuar të Shqipërisë (UBA). Në bazë të kësaj marrëveshjeje, Banka Islamike për Zhvillim, që është edhe aksionere në UBA, blen 40 për qind të aksioneve të shtetit shqiptar për vlerën 8 milionë dollarë. Gjatë nënshkrimit të marrëveshjes, ministri Bode theksoi se si pjesë e strategjisë së qeverisë në privatizimet në tërësi dhe ato strategjike në veçanti, kjo marrëveshje konfirmon një tjetër arritje në këtë drejtim, duke privatizuar aksionet me një vlerë prej 3 milionë dollarë më të lartë se në kohën kur shteti shqiptar ka ofruar këtë pjesëmarrje në vitin 2006. "Ne e konsiderojmë këtë një privatizim të suksesshëm që konfirmon deklaratat tona se sistemi bankar dhe ekonomia shqiptare janë ende shumë të besueshme në sytë e investitorëve dhe të kompanive të huaja që veprojnë jo vetëm në ekonominë reale, por edhe në sistemin financiar, konkretisht në sistemin bankar", - tha ministri Bode. Ai falënderoi IDB-në për bashkëpunimin dhe siguroi bankën se qeveria shqiptare do të jetë gjithnjë një partner në mbështetje të kësaj kompanie dhe të të gjitha kompanive që veprojnë në sistemin bankar dhe atë financiar. Marrëveshja u përshëndet edhe nga përfaqësuesi i IDB-së, i cili theksoi se kjo marrëveshje është pjesë e bashkëpunimit të vazhduar me qeverinë shqiptare. IDB është një bankë me qendër në Arabinë Saudite dhe operon në 55 shtete të Europës, Azisë dhe Afrikës.
31 Mars 2009