Raporti i BE-së: Hungaria mbetet “delja e zezë” për sundimin e ligjit

Komisioni Evropian ka publikuar raportin vjetor mbi sundimin e ligjit, ku Hungaria portretizohet sërish si performuesi më i dobët mes vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Sipas raportit të vitit 2025, Budapesti ka marrë numrin më të lartë të rekomandimeve – tetë gjithsej – ndërsa nuk ka shënuar “asnjë progres” në disa fusha kyçe.
Ndër problemet e theksuara në raport përfshihen mungesa e përparimit në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë, reformën e lobimit, pavarësinë e medias së shërbimit publik dhe promovimin e një hapësire të sigurt qytetare. Këto fusha mbeten shqetësuese për Komisionin, duke nënvizuar nevojën për reforma të menjëhershme dhe thelbësore.
I vetmi “progres i rëndësishëm” që është regjistruar për Hungarinë ka të bëjë me rritjen e pagës së gjyqtarëve, e cila tashmë është në përputhje me standardet evropiane. Pavarësisht këtij hapi pozitiv, raporti thekson se ky përparim nuk mjafton për të kompensuar stanjacionin apo regresin në aspekte të tjera kritike të sundimit të ligjit.
Gjetjet e këtij raporti ka të ngjarë të thellojnë më tej tensionet mes Komisionit Evropian dhe qeverisë hungareze, teksa BE-ja vazhdon të mbajë nën vëzhgim të rreptë respektimin e parimeve të sundimit të ligjit nga vendet anëtare. ANSA
/rtsh.al/