E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raporti i DASH 2012 problem korrupsioni

Departamenti Amerikan i Shtetit publikoi raportin për vitin 2012 ku për Shqipërinë shprehet shqetësimi më i madh tek sistemi i drejtësisë dhe pavarësia e tij.

Departamenti Amerikan i Shtetit publikoi raportin për vitin 2012 ku për Shqipërinë shprehet shqetësimi më i madh tek sistemi i drejtësisë dhe pavarësia e tij. Megjithëse Kushtetuta dhe ligjet e tjera të vendit garantojnë një sistem drejtësie të pavarur, presioni politik, intimidimi, korrupsioni dhe mungesa e fondeve kanë penguar në disa raste drejtësinë të funksionojë normalisht, thuhet në raport. Politizimi i kandidaturave për në Gjykatën e Lartë dhe Gjykatën Kushtetuese, kërcënon pavarësinë dhe integritetin e këtyre dy institucioneve, vazhdon raporti për pjesën e drejtësisë. Tek pjesa e të burgosurve politikë dhe të dënuarve të tjerë, raporti përmend grevën 31 ditore të ish të përndjekurve politikë shtatorin e kaluar dhe vetësakrifikimin e tyre për marrjen e dëmshpërblimit të premtuar. Organizatorët e protestës thanë se qeveria ka ushtruar presion dhe ka monitoruar cdo lëvizje të tyre”, vëren raporti. Sa për lirinë e medias, duke nënvizuar edhe njëherë se ligjet e vendit njohin lirinë e shprehjes, raport i Departamentit të Shtetit shton se ka patur forma presioni direkte dhe indirekte ndaj medias. Një ndër to DASH përmend shpërndarjen e reklamës shtetërore, ndërsa rendit edhe rastin gjobës ndaj Top Channel për rastin e denoncimit të ish-ministrit të Kulturës, Ylli Pango. Raporti nënvizon edhe kontrollin e plotë të qeverisë mbi linjën editoriale në Radio-televizionin Publik. DASH ndalet tek korrupsioni si problem madhor në vend. Pavarësisht se ligjet përcaktojnë dënime penale për zyrtarët që kryejnë këtë vepër, thuhet në raport, qeveria dështoi t’i vendosë në zbatim këto ligje.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›