E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti i DASH, shuplakë KQZ-së: Ka minuar të drejtën e votës. PD po mbledh pushtetet në një dorë

dash(E PERDITESUAR)- Është publikuar raporti vjetor i Departamentit të Shtetit për të drejtat e njeriut. Në pjesën e Shqipërisë, akuzat janë shtuar, duke theksuar sidomos korrupsionin e përhapur në qeverisje dhe drejtësi, por edhe kapjen e pushteteve nga Partia Demokratike.

Me një gjuhë të fortë dhe të drejtpërdrejtë, thuhet se institucionet thellësisht partiake, përfshirë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, kanë minuar të drejtën për të marrë pjesë plotësisht në qeverisje.

Në raport theksohet se problem i madh është rrahja nga policia dhe keqtrajtimi i të dyshuarve.

Republika e Shqipërisë është një demokraci parlamentare. Kushtetuta ia vesh autoritetin legjislativ parlamentit me një dhomë (Kuvendi), i cili zgjedh si kryeministrin ashtu edhe presidentin. Kryeministri kryeson qeverinë, ndërkohë që presidenti ka pushtet të kufizuar ekzekutiv. Në vitin 2009, vendi zhvilloi zgjedhje parlamentare, të cilat Zyra për Institucionet Demokratike dhe Të Drejtat e Njeriut (ODIHR) e Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Europë (OSBE) i përshkroi se kishin bërë përparim krahasuar me zgjedhje të mëparshme, por nuk realizuan plotësisht angazhimet e OSBE-së. Forcat e sigurisë raportojnë pranë autoriteteve civile, thuhet në përmbledhjen ekzekutive të raportit.

Korrupsioni i kudogjendur në të gjitha degët e qeverisjes, e sidomos në sistemin e drejtësisë, mbeti një problem serioz. Axhenda e reformave, në veçanti lufta kundër korrupsionit, faktikisht ngeci teksa partitë politike e zhvendosën vëmendjen e tyre tek zgjedhjet kombëtare të vitit 2013. Institucione shtetërore thellësisht partiake, përfshirë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, minuan të drejtat e qytetarëve për të sfiduar drejtpërdrejt ligjet dhe për të marrë pjesë plotësisht në qeverisjen e tyre. Konsolidimi i vazhdueshëm i pushtetit në duart e partisë në pushtet gërryejti më tej besimin publik në pavarësinë e institucioneve të vendit. Mënjanimi dhe abuzimi i bashkësive rome dhe egjiptiano-ballkanike ishin gjithashtu të rëndësishme të të drejtave të njeriut. Probleme domethënëse ishin edhe rrahja nga policia dhe keqtrajtime të tjera të të dyshuarve gjatë ndalimit dhe marrjes në pyetje, hera-herës për tu nxjerrë rrëfime, vijon raporti.

Në raportin e DASH theksohet se dhuna në familje dhe diskriminimi është një problem i madh.

Probleme të tjera përfshinin dhunën në familje dhe diskriminimin kundër gruas, abuzimin e fëmijëve, si dhe diskriminimin mbi bazë orientimi seksual dhe identiteti gjinor. Vazhduan të raportoheshin raste të trafikimit të personave, thekson raporti.

Kur bie fjala tek korrupsioni, raporti me tone të forta vëren se ndjekjet penale ndaj të korruptuarve janë sporadike. Zyrtarët, thuhet në raport, kanë imunitet. Në fakt imuniteti është hequr, por sërish nuk ka asnjë zyrtar që po përballet me drejtësinë.

Përpjekjet e qeverisë për të ndjekur penalisht zyrtarët që kryenin abuzime ishin sporadike dhe jokonsekuente. Shumë zyrtarë të qeverisë dhe politikanë në përgjithësi, ashtu si dhe gjykatës, gëzonin imunitet nga ndjekja penale, dhe personat me interesa të fuqishme biznesi shpesh ia dilnin të shmangnin ndjekjen penale. Disa zyrtarë të niveleve më të ulëta u ndëshkuan për abuzime. Disa zyrtarë të qeverisë që ishin të implikuar qartësisht në raste abuzimesh u lëvizën dhe iu dhanë poste të tjera në qeverisje pa ndonjë ndëshkim, thekson raporti./ep

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›