E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti i EPI: Mbrojtja e parqeve, treguesi më kritik për mjedisin

Sipas raportit të Indeksit të Performancës Mjedisore, mbrojtja e parqeve vlerësohet me 1.6 pikë, nga 100 pikë të mundshme
Mbrojtja e parqeve dhe shkatërrimi i peizazhit kanë qenë dy kritikat kryesore për mjedisin në vendin tonë. Ky ka qenë konkluzioni i Raportit të Indeksit të Performancës Mjedisore (EPI) për vitin 2008. Kështu ministri i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Lufter Xhuveli pohon se ky raport tregon se vendi ynë ka përmirësime sa i takon ndotjes së mjedisit por ende problemet janë të theksuara. Ndërkohë bëhet e ditur se, raporti i këtij studimi mjedisor e rendit vendin tonë në vendin e 25 nga 149 vende të monitoruara në rang global. "Në krahasim me renditjen e vitit 2006, Shqipëria ngjit 32 shkallë, duke kaluar nga vendi i 57-të në vendin e 25-të. Po në këtë raport, Shqipëria renditet në vendin e dytë pas Kroacisë, midis vendeve të Europës Lindore dhe atyre të Azisë Qendrore",- deklaroi ministri Xhuveli.
Raporti i EPI-së
Raporti i Indeksit të Performancës Mjedisore vlerëson kritike situatën sa i takon peizazhit dhe kthimit të pyjeve në toka bujqësore ose për qëllime të tjera. Por një tjetër tregues problematik është ai i mbrojtjes së parqeve, ku Shqipëria vlerësohet vetëm me 1.6 pikë nga 100 të mundshmet që kanë qenë në raport. Duke u ndalur te administrimi i mbetjeve të ngurta urbane, Xhuveli u shpreh se, "mbetjet e ngurta përveç ndotjes së ambientit, shkaktojnë dhe dëmtimin e peizazhit dhe ndikojnë në formimin e një imazhi negativ për vendin tonë. Ndërkohë ai pohon se një rritje e ndjeshme shënohet në fushën e burimeve natyrore, ku indekset e matura në sektorin e pyjeve, peshkimit dhe bujqësisë, në raportin e vitit 2008 rezultojnë me rritje nga 70 për qind, në 79.1 për qind". "Shqipëria është një vend i gjelbër, ku pyjet dhe kullotat zënë mbi 51 për qind të sipërfaqes së vendit. Zvogëlimi i prerjeve në pyje në vitin 2007 deri në 3 herë në krahasim me vitet 2004-2005, rritja e sipërfaqeve të mbjella, dyfishimi i sipërfaqes së zonave të mbrojtura kanë sjellë një përmirësim të ndjeshëm të gjendjes së pyjeve",- pohon Xhuveli. Megjithatë ai thekson se mjedisi në vendin tonë ka shumë probleme pasi ndotja e ajrit dhe apo niveli sanitar mbetet në nivele të ulëta. Ndërkohë Xhuveli shpjegon se monitorimi, vlerësimi dhe publikimi i raportit është bërë nga katër qendra të specializuara dhe prestigjioze ndërkombëtare për mjedisin, që janë Universiteti i Yale-s dhe Universiteti Columbia në SHBA, Qendra Kërkimore e Përbashkët e Komisionit Europian në Ispra (Itali) dhe Forumi Ekonomik Botëror në Gjenevë të Zvicrës.
51 për qind të sipërfaqes së vendit tonë e zënë pyjet dhe kullotat, megjithatë Raporti i EPI-së është kritik
149 vende u monitoruara në rang global, nga Raporti i Indeksit të Performancës Mjedisore
32 shkallë më lart se viti 2006 u ngjit vendi ynë, nga Raporti i Indeksit të Performancës Mjedisore
25 ishte vendi që zuri vendi ynë në Raportin e Indeksit të Performancës Mjedisore

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›