Raporti i KE: Ekonomia shqiptare po ngadalësohet, borxhi mbetet i lartë
Ndërkohë që borxhi publik po rritet, rritja ekonomike po ngadalësohet. Kështu vëren KE në raportin e saj të fundit për Shqipërinë, ku ekonomia është tema që zë një mori kapitujsh. Komisioni analizon me hollësi gjendjen aktuale të ekonomisë shqiptare si dhe progresin e reformave të qeverisë.
Borxhi publik
Raporti nis duke komentuar me shqetësim financat e qeverisë që mbeten një nga dobësitë më të mëdha të ekonomisë shqiptare. “Objektivi kryesor i qeverisë mbetet stabiliteti makroekonomik, i cili përgjithësisht u ruajt. Por zgjerimi i deficitit çoi në rritjen e mëtejshme të borxhit të lartë publik, duke përkeqësuar dobësitë fiskale,” thuhet në raport.
Rritja ekonomike
Në lidhje me rritjen ekonomike raporti vë në dukje rritjen e standardeve të jetesës krahasuar me mesataren e Bashkimit Europian nga 28 për qind në 2010 në 31 për qind në 2011. Megjithatë sipas komisionit rritja ekonomike po ngadalësohet. “Rritja e prodhimit kombëtar zbriti në 3.1 për qind në vitin 2011 nga 3.8 për qind në 2010-ën. Ndërsa në tremujorin e parë të 2012-ës ekonomia u tkurr me 0.2 për qind për shkak të rënies së fortë të prodhimit industrial dhe ndërtimit,” vijon raporti.
Papunësia
Një tjetër problem i mprehtë sipas komisionit mbetet papunësia. “Kushtet në tregun e punës u përmirësuan, por ndonëse u ul krahasuar me vitin e kaluar papunësia mbetet e lartë, dhe tre të katërtat e të papunëve janë afatgjatë duke reflektuar natyrën e saj strukturore,” thuhet në raport ndërkohë që shqetësime ka dhe për deficitin korrent dhe rritjen e kredive të këqija si dy rreziqe shtesë për stabilitetin ekonomik të vendit.
Pronat/privatizimet
Por përkeqësimi i treguesve ekonomik nuk është problemi i vetëm. Raporti vëren se edhe progresi i reformave mbetet i pamjaftueshëm. “Në veçanti procesi i privatizimeve ka ngecur dhe përgatitja institucionale për të mbrojtur të drejtat e pronës dhe për të garantuar zbatimin e ligjit është e dobët duke mbetur një arsye për shqetësim,” vijon raporti. Komisioni thotë se dobësia në zbatimin e ligjit dhe reformat e paplotësuara të pronës dhe korrupsioni vazhdojnë të kenë efekt negativ në klimën e biznesit duke tërhequr vëmendjen se situata politike e bën edhe më sfiduese ndërmarrjen dhe zbatimin e reformave.