E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raporti i KE Fyle Shqiperia arriti progresin

Komisioneri për Zgjerimin në BE, Stefan Fyle gjatë konferencës për shtyp bëri publik progresin e Shqipërisë dhe të vendeve të tjera të Ballkanit.  “Shqipëria ka bërë një progres të mirë në përmbushjen e kritereve politike dhe kjo falë dialogut mes mazhorancës dhe opozitës. Vendi ka bërë një sërë reformash substanciale. KE rekomandoi dhënien e statusit, por që mbeten disa pika kyçe që duhen plotësuar. E theksojmë se progresi është arritur. Duhet theksuar se Shqipëria duhet të vazhdojë luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, në mënyrë që të hedhin hapat e mëtejshëm për negociata”, vlerësoi Fyle, gjatë fjalës së tij.  Po kështu, ndalur në vendin tonë, Komisioneri për Zgjerimin nënvizoi faktin se “Shqipëria duhet të tregojë kujdes në përmbushjen e disa prioriteteve kyçe, siç është përqendrimi tek zbatimi i ligjit, dialogut politik, të drejtat e njeriut”. Njëkohësisht, sipas tij, zgjedhjet e 2013 do të jenë test kyç për vendin dhe për hapjen e negociatave. Por, nga ana tjetër, Fyle i mëshoi me forcë faktit se bashkëpunimi politik është i rëndësishëm për Shqipërinë. 
Komisioneri për zgjerimin në Bashkimin Europian Stefan Fyle në konferencën për shtyp, në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian, ka prezantuar progres raportin dhe për vendet kandidate për në Bashkimin Europian. Fyle u shpreh në rastin e Kosovës se Komisioni Evropian miratoi Studimin e Fizibilitetit për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit me Kosovën. Ky studim konfirmon se kjo marrëveshje mund të vendoset ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës në një situatë ku vendet anëtare të BE-së mbajnë qëndrime të ndryshme rreth statusit të Kosovës. Komisioneri për Zgjerim, Stefan Fyle, tha se për Kosovën duhet të respektohen minoritet dhe integriteti territorial. Një përmirësim i dukshëm dhe i qëndrueshëm në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i nevojshëm, në mënyrë që të dyja vendet t’i vazhdojnë rrugët e tyre drejt BE-së. Asnjëra palë nuk mund ta bllokojë palën tjetër gjatë këtyre përpjekjeve. Gjithashtu Fyle ka theksuar se BE do të nisë procesin për bisedimet sapo Kosova të jetë e gatshme dhe nisja e negociatave është në interes të dyja palëve.  Ndërsa për Maqedoninë në progres raportin për këtë vend gjatë periudhës 2012 Fyle deklaroi se janë hapur negociatat për vendin. Komisioni Europian rekomandon se negociatat për vendet e ish republikës së Maqedonisë duhet të fokusohen në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë. Fyle ka theksuar se për herë të parë do të hapen negociatat me Maqedoninë dhe se të gjitha këto do të ndihmojnë dhe me hapat e mëtejshëm ndërkohë që mbeten për tu zbatuar reformat. Edhe çështja e emrit duhet të ketë një zgjidhje sa më të shpejtë, ka vazhduar më tej Fule duke inkurajuar bisedimet me Greqinë.  Komisioni propozon edhe se “Zbatimi i reformave duhet të mirëmbahet në të gjitha sferat nga kriteret politike, posaçërisht që të sigurohet zbatimi i tyre”. Sipas KE-së, kjo është posaçërisht e rëndësishme në qeverisjen e së drejtës, duke përfshirë lirinë e shprehjes, ku sipas Komisionit duhet të përforcohen përpjekjet.  Ndërsa në rastin e Kroacisë, komisioneri për zgjerim theksoi se vendi ka bërë progres në legjislacion dhe se reformat duhet të vazhdojnë. Kurse në rastin e Malit të zi, theksi duhet të vihet tek shteti i së drejtës.  Serbia dhe statusi i saj vazhdon të kushtëzohet me vijimin e fqinjësisë së mirë me Kosovën. “Serbia vijon në rrugën e saj duke përmbushur disa nga prioritet e kërkuara, ne inkurajojmë Serbinë të përforcojë zbatimin e reformave dhe të vijojë me punën për një bashkëpunim me fqinjët, e domosdoshme të jetë mbështetëse dhe të përkrahë bisedimet mes Serbisë dhe Kosovës. Duhet të vijojë bashkëpunimi i fqinjësisë së mirë mes dy vendeve me perspektivën se të dyja vendet të përmbushin reformat”,- deklaroi Fyle.  Në shkurt të 2012, Ministria e Jashtme e Bashkimit Europian njoftoi zyrtarisht se kanë rekomanduar dhënien e statusit kandidat për Serbinë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›