E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raporti i KE kritika për Maqedoninë

Moszgjidhja e emrit, sistemi juridik, gjendja e mediave dhe raportet ndëretnike janë pikat kritike që do të përshihen në raportin e KE për Maqedoninë.

Sipas agjensisë së lajmeve INA, e cila citon  burime pranë Komisionit Evropian (KE) në Bruksel, raporti i progresit që do të publikohet në muajin tetor do të pasqyrojë një gjendje të “status-quo”-s në Maqedoni, me vlerësime më shumë negative.

Vlerësimi i vetëm pozitiv pritet të jetë rreth zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, mbajtjes së tyre dhe procesit post-zgjedhor me formimin e Qeverisë.

Raporti si pika kritike do të trajtojë mungesën e reformave në drejtësi dhe ndërhyrjen e pushteteve, reformat në administratën publike, luftën kundër korrupsionit dhe gjendjen e medieve, ndërsa do të përfshihen edhe marrëdhëniet ndëretnike që janë të provokuara siç mësohet nga projekti “Shkupi 2014, etj.
Zëvendëskryeministrja për evrointegrime e Maqedonisë, Teuta Arifi thekson se integrimet euroatlantike janëprioritet për vendin, por megjithatë pranon se mbetet akoma shumë punë për të arritur qëllimin e dëshiruar.

“Duhet të punojmë më shumë në realizimin e reformave për modernizimin e administratës publike si dhe reformimin e gjyqësisë. Nuk duhet të harrojmë se këto çështje dhe në përgjithësi reformat e domosdoshme janë nën llupën e Bashkimit Evropian”, është shprehur zëvendëskryeministrja Teuta Arifi.

Organizata për Bashkëpunim Rajonal dhe Integrime Evropian (OBRIE) vlerëson se përpos reformave në administratën publike dhe gjyqësi, Maqedonia duhet të punojë më shumë në respektimin e të drejtave të njeriut.

“Në Maqedoni akoma është pranishme dhuna policore, mungon liria e shprehjes, ndërsa në të shumtën e rasteve shqiptarët dhe komunitetet tjera jo maqedonase nuk munden t’i realizojnë të drejtët tyre esenciale të garantuara me konventat ndërkombëtare për drejtat e njeriut”, vlerëson OBRIE.

Raporti vjetor i progresit për çdo vend veç e veç të Ballkanit Perëndimor do të publikohet nga Komisioni Evropian më 12 tetor. Raportet e Progresit janë një lloj matësi i përparimeve që KE i merr parasysh për vendet që aspirojnë integrimet evropiane.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›