E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti i OKB: Katastrofat klimatike zhvendosën 250 milionë njerëz në 10 vitet e fundit

Katastrofat klimatike, përfshirë përmbytjet, stuhitë, thatësirat dhe nxehtësinë ekstreme, kanë detyruar 250 milionë njerëz në mbarë botën të largohen nga shtëpitë e tyre gjatë dekadës së fundit, ose mesatarisht 70 mijë njerëz çdo ditë.

Raporti i Agjencisë së OKB-së për Refugjatët (UNHCR) thekson se kriza klimatike vepron si një “shumëfishues rreziku”, duke përkeqësuar konfliktet, pabarazitë dhe zhvendosjet e detyruara.

Numri i vendeve që raportojnë zhvendosje për shkak të konflikteve dhe katastrofave është trefishuar që nga viti 2009. Megjithatë, vendet e brishta dhe të prekura nga konfliktet, që presin refugjatë, marrin vetëm një të katërtën e financimit të nevojshëm për të përballuar efektet e klimës.

Refugjatët dhe njerëzit e zhvendosur shpesh jetojnë në kushte të pasigurta fizike dhe politike dhe janë ndër ata që goditen më fort nga kriza klimatike, edhe pse kontribuojnë pak në shkaktimin e saj.

Për shembull, përmbytjet katastrofale në shtetin brazilian Rio Grande do Sul në maj 2024 detyruan largimin e 580 mijë njerëzve, përfshirë 43 mijë refugjatë të cenueshëm nga Venezuela, Haiti dhe Kuba. Një vit më parë, cikloni Mocha goditi kampet e Rohingya-ve në Myanmar, ku 160 mijë persona jetojnë në kushte të mbipopulluara që nga viti 2012.

Në vitin 2024, një e treta e emergjencave të shpallura nga UNHCR përfshinin fenomene klimatike ekstreme si përmbytje, thatësira dhe zjarre, që prekën njerëzit e zhvendosur nga lufta. Aktualisht, tre të katërtat e refugjatëve jetojnë në vende me rrezik të lartë ose ekstrem nga katastrofat klimatike, dhe zhvendosjet e përsëritura po bëhen gjithnjë e më të zakonshme.

Shtetet si Çadi, një nga vendet më të brishta dhe më të prekshme nga klima, presin mbi 1.4 milionë refugjatë dhe kërkues azili. Vetëm gjatë vitit 2024, përmbytjet detyruan më shumë se 1.3 milionë njerëz të largohen nga shtëpitë dhe kampet e tyre, më shumë se 15 vitet e mëparshme së bashku. Një pjesë e madhe e refugjatëve përballen me mungesë të ujit dhe kushte të rrezikshme shëndetësore.

Raporti paralajmëron se pa veprime radikale për të ndaluar katastrofën klimatike dhe për të ndihmuar vendet e varfra të përshtaten, situata do të përkeqësohet ndjeshëm. Deri në vitin 2050, kampet më të nxehta të refugjatëve mund të përballen me afro 200 ditë nxehtësie ekstreme në vit, duke kërcënuar shëndetin dhe jetën e njerëzve.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›