E Diel, 1 Nëntor 2026

“21 Janari”, Berisha thirret të premten në SPAK

Ish-kryeministri Sali Berisha do duhet të paraqitet të premten në orën 10:00 para Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për tu pyetur si person që ka dijeni për “21 Janarin”.

Që kreu i PD të informohet për fletëthirrjen ajo është dërguar në 3 adresa: në banesën e tij, në Kuvend dhe në selinë e Partisë Demokratike.

Kjo është hera e parë që Berisha do të pyetet nga SPAK për “21 Janarin”, ndërsa disa ditë më parë në Prokurorinë e Posaçme u thirr edhe Lulzim Basha, asokohe minister i Brendshëm.

Pas 1 orë e 20 minuta përballë prokurorit të posaçëm Alfred Shehu, ish-kreu i PD-së u shfaq i rezervuar të tregojë publikisht se për çfarë ishte në SPAK.

Basha: Jam thirrur si person që ka dijeni për një çështje në hetim.

Gazetarët: Për 21 janarin?

Basha: Informacionin se për cilën çështje ju lus ta merrni te institucioni se duhet të respektoj sekretin hetimor.

Gazetarët: A ka pasur urdhër më 21 janar për të qëlluar?

Basha: Kjo ishte gjithçka që kisha për të deklaruar për këtë çështje, për të tjerat me siguri ju ka marrë malli për konferencë për shtyp por duhet të prisni dhe pak.

Ishte insistimi i familjarëve të Aleks Nikës, e vetmja vrasje pa autor, që çoi dosjen e “21 Janarit” në dyert e SPAK.

Më 12 mars të vitit 2024, Gjykata e Lartë foli në frymën e një vendimi historik të një prej gjykata më të rëndësishme ndërkombëtare, asaj në Strasburg për të Drejtat e Njeriut, dhe urdhëroi SPAK të hetojë vrasjet e 4 protestuesve, Hekuran Deda, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Aleks Nika.

Prokuroria e Tiranës çoi të pandehur vetëm ish-komandantin e Gardës Ndrea Prendi dhe përgjegjësin e njësisë speciale Agim Llupo, të cilët në 2013-ën u dënuan nga gjykata për vrasje nga pakujdesia.

Prendi me 1 vit burg, Llupo me 3 vite, të dy të lirë sot.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›