Raporti i OSBE dhe SHKB për 21 Janarin: Kryeministria mbeti zbuluar për 45 minuta
Një raport i hartuar nga zyra e OSBE-së në Tiranë në bashkëpunim me Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme për ngjarjet e 21 janarit, arrin në përfundimin se për 45 minuta, kryeministria ishte e pambuluar me forca policore për shkak të çorganizimit. Raporti nuk thotë asnjë fjalë për vrasjet, por analizon vetëm punën e policisë. Në raport thuhet se forcat e policisë u vendosën tre orë përpara tek kryeministria, çka solli lodhjen e tyre. Raporti thotë se nuk ka funksionuar zinxhiri vertikal i komandimit, madje për një periudhë nuk ka pasur fare komunikim. Raporti thekson se përdorimi i gazit lotsjellës nuk ka qenë efektiv, pasi ka dëmtuar vetë policët. Edhe automjetet ujëhedhëse nuk janë përdorur siç duhet. Në raport thuhet se policia nuk e përdori forcën në momentin e duhur dhe në mënyrë të përshkallëzuar, por abuzoi me të kur nuk ishte nevoja.