Raporti i SPAK për 2026, Braho: 440 mln euro pasuri të sekuestruara. 16 hetime për zyrtarë të nivelit të lartë

Pasuri me vlerë rreth 440 milionë euro janë sekuestruar nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) gjatë periudhës 1 janar – 15 korrik 2026, në kuadër të hetimeve financiare ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Sipas raportit të publikuar nga kreu i SPAK, Klodian Braho, pasuritë e sekuestruara përfshijnë prona të paluajtshme, sipërfaqe toke prej mbi 150 mijë metrash katrorë, vila, apartamente dhe hotele, më shumë se 10 shoqëri tregtare, mbi 620 llogari bankare, si edhe rreth 100 automjete dhe mjete lundruese.
“Vlera e pasurive të sekuestruara është sa dyfishi i pasurive të sekuestruara nga SPAK 5 vitet e fundit. Ndërsa buxheti i Spak është rreth 25 here më i vogël se vlera e pasurive të sekuestruara”, tha Braho.
Raporti evidenton se gjatë periudhës së raportimit janë regjistruar edhe 13 procedime penale që përfshijnë 16 zyrtarë të nivelit të lartë. Mes tyre janë pesë kryetarë ose ish-kryetarë bashkish, pesë drejtues ose ish-drejtues institucionesh qendrore, tre gjyqtarë ose prokurorë, dy ministra ose ish-ministra dhe një deputet.
SPAK bën me dije se gjatë gjysmës së parë të vitit janë vendosur 292 masa sigurie, ku pjesën më të madhe e zënë masat “arrest në burg”. Gjithashtu janë vendosur masa “arrest në shtëpi”, “detyrim për paraqitje”, “ndalim i daljes jashtë shtetit”, “pezullim nga detyra” dhe “pezullim i ushtrimit të një detyre ose shërbimi publik”.
Sa i takon ecurisë së procedimeve penale, raporti tregon se më 15 korrik 2026 ishin aktive 616 procedime, ose 15.87% më pak se në të njëjtën datë të vitit 2025. Ndërkohë, gjatë periudhës janar-korrik janë regjistruar 182 procedime të reja, një ulje me 39.6% krahasuar me një vit më parë, çka sipas SPAK lidhet kryesisht me periudhën zgjedhore.
Në raport theksohet gjithashtu se është përshpejtuar trajtimi i dosjeve të mbartura nga vitet 2019–2021, ndërsa gjatë kësaj periudhe janë dërguar për gjykim 34 çështje penale ndaj 228 të pandehurve. Numri i çështjeve në shqyrtim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë ka arritur në 100.
/rtsh.al/