Raporti i Transparency International, Ambasada gjermane: Arritje për të cilën shqiptarët mund të jenë krenarë

TIRANË, 12 shkurt/ATSH/ Ambasada gjermane ka reaguar sot, përmes një postimi në Facebook, mbi raportin e bërë publik të Transparency International një ditë më parë.
Në njoftim thuhet se Ambasada gjermane “mirëpret përparimin që Shqipëria ka bërë në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit 2024 të Transparency International”.
“Sipas Transparency International, ky përparim bazohet kryesisht në besimin që shqiptarët kanë tek puna e SPAK, ashtu sikurse edhe Agjencitë Evropiane të Zbatimit të Ligjit. Ndërsa mbetet ende shumë punë përpara, kjo është një arritje për të cilën të gjithë shqiptarët mund të jenë krenarë”, thuhet në njoftim.
Ambasada gjermane thekson faktin se lufta ndërkombëtare kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është jetike për shoqëritë tona dhe thekson përkushtimin për ta mbështetur vendin tonë për të arritur një anëtarësim të shpejtë në BE.
Shqipëria është përmirësuar ndjeshëm në renditjen e Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit, publikuar nga Transparency International. Vendi ynë është rritur me 5 pikë për vitin 2024, krahasuar me vitin 2023, ndërsa në total numëron 42 pikë, nga 100 që janë pikët maksimale.
/r.e/a.f/